Xhaka rikthehet te Zvicra, mesfushori shqiptar e ruan shiritin e kapitenit

28 tetor 2026 | 10:51

Granit Xhaka dhe Breel Embolo do të jenë sërish të gatshëm për Kombëtaren e Zvicrës nga muaji nëntor, pasi Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur t’i japë fund pezullimit të tyre lidhur me skandalin e certifikatave të falsifikuara të COVID-19.

Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka njoftuar të martën se, pas shqyrtimit të të dy rasteve, nuk ka më pengesa për rikthimin e dy futbollistëve, të cilët munguan në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë muajve shtator dhe tetor.

“SFV-ja i ka shqyrtuar tërësisht të dy rastet dhe ka arritur në përfundimin se rikthimi i lojtarëve është i arsyeshëm, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duke marrë parasysh pasojat sportive, përkatësisht mungesën në katër ndeshje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e federatës.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka thënë se vendimi është marrë duke marrë parasysh rrethanat e secilit rast, përfundimin e procedurave ligjore dhe pasojat sportive që kanë përjetuar lojtarët.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me Granit Xhakën, i cili do ta ruajë shiritin e kapitenit. Federata ka konfirmuar se përzgjedhësi, stafi i tij teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur njëzëri që mesfushori shqiptar të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës.

Skandali me certifikatat e COVID-19

Në shtator u bë e ditur se Xhaka kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi gjatë pandemisë së COVID-19. Mesfushori e pranoi publikisht gabimin dhe kërkoi falje, duke shpjeguar se gjatë asaj periudhe kishte pasur shqetësime serioze lidhur me vaksinimin.

Disa ditë më vonë, në qendër të vëmendjes për të njëjtën çështje ishte edhe Embolo. Sulmuesi kishte siguruar dokumente të falsifikuara udhëtimi në vitin 2021 dhe ishte dënuar me gjobë me kusht prej 20 njësive ditore, secila në vlerë prej 3.000 frangash zvicerane.

Ndryshe nga rasti i Embolos, procedurat penale ndaj Xhakës nuk kishin përfunduar në kohën kur çështja u bë publike. Pak para ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut, mesfushori është shpallur fajtor në Luzern.

Pas këtyre rasteve, Federata Zvicerane e Futbollit ka hartuar udhëzime të reja për trajtimin e sjelljeve të futbollistëve që mund të kenë pasoja ligjore.

Presidenti i SFV-së, Peter Knäbel, ka bërë të ditur se udhëzimet e reja synojnë të krijojnë kritere të qarta, transparente dhe të kuptueshme për vlerësimin e rasteve të tilla në të ardhmen.

Megjithatë, federata nuk do të zbatojë një sistem të ngurtë ndëshkimesh, pasi secili rast do të shqyrtohet veçmas, duke marrë parasysh rrethanat konkrete.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2026 dhe do të vlejnë për të gjitha ekipet kombëtare të Zvicrës, përfshirë Kombëtaren e femrave dhe ekipet e grupmoshave të reja.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Thierry Henry ka reaguar ndaj kritikave për një shaka që…