U kritikua ashpër për shakanë ndaj Yamalit, Henry sqaron çfarë ndodhi në ceremoninë e Topit të Artë

28 tetor 2026 | 10:49

Thierry Henry ka reaguar ndaj kritikave për një shaka që bëri me Lamine Yamalin, pasi futbollisti i Barcelonës fitoi trofeun Kopa në ceremoninë e Topit të Artë.

Yamal e fitoi trofeun Kopa, i cili i jepet futbollistit më të mirë të ri në botë, për të tretin vit radhazi, në ceremoninë e mbajtur të hënën mbrëma në London Palladium.

Futbollisti spanjoll ia dedikoi çmimin bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Pau Cubarsit, duke thënë se trofeun duhej ta kishte fituar ky i fundit. Reagimi i tij e habiti dukshëm Henryn, i cili më pas u kritikua për shakanë e bërë gjatë ceremonisë.

Ish-futbollisti francez ka reaguar përmes një deklarate, duke sqaruar se nuk kishte pasur qëllim ta ofendonte apo t’ia ulte egon Yamalit.

“Kam parë shumë njerëz duke folur për mbrëmjen e Topit të Artë, ndaj dua të sqaroj disa gjëra, sepse disa njerëz kanë bërë shumë zhurmë për diçka që në fakt nuk ishte asgjë.

Sa i përket Lamine Yamalit, nuk po përpiqesha aspak t’ia ulja egon. Thjesht mendova se, duke qenë hera e tretë që e fiton atë trofe, duhej ta pyesja nëse ishte vërtet ai çmimi që dëshironte.

Jam një admirues i madh i Lamine Yamalit. Nuk po përpiqesha në asnjë mënyrë t’ia prekja egon. E kuptoj nëse nuk ju pëlqeu shakaja, por ju lutem, mos e teproni. Ai është një nga lojtarët për të cilët do të paguaja për ta parë duke luajtur. E dua si futbollist.

Thjesht po e pyesja nëse ai ishte trofeu që dëshironte vërtet, sepse e dija që çmimi kryesor do të jepej më vonë. Fatkeqësisht, ai nuk e fitoi atë, edhe pse është një futbollist i jashtëzakonshëm, të cilin më pëlqen shumë ta shikoj”, ka thënë Henry.

Francezi ka folur edhe për një shaka tjetër që bëri me bashkëprezantuesen Kate Scott, kur e korrigjoi atë për shqiptimin e emrit të Sócrates, legjendës braziliane, emrin e të cilit e mban një çmim humanitar i ndarë gjatë ceremonisë së Topit të Artë.

Henry ka sqaruar se Scott ishte pjesë e shakasë dhe se këtë e kishte konfirmuar edhe vetë ajo, duke komentuar në postimin e tij se nuk kishte pasur asnjë mungesë respekti.

“Kate ishte pjesë e asaj shakaje. Mund ta pyesni edhe vetë. Ajo e shqiptoi emrin Sócrates ashtu qëllimisht, ndërsa unë duhej ta shqiptoja ndryshe”, ka thënë Henry.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…