Prokuroria e Pejës nis hetim për dyshimet për keqpërdorime me patentë-shoferë

02 shkurt 2024 | 16:20

Prokuroria e Pejës konfirmoi të premten për “Radion Evropa e Lirë” se e ka nisur një hetim në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me patentë-shoferë në këtë pjesë të Kosovës.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha më herët gjatë ditës në një konferencë për media se Prokurorisë së Pejës i ishte dërguar një dosje voluminoze në lidhje me qindra kandidatë që morën patentë-shoferin në procese të dyshimta.

“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani, dyshimet tona kanë të bëjnë për një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë”, tha Durmishi.

Prokuroria e Pejës nuk dha hollësi të tjerë rreth rastit, për shkak të siç tha, “ndjeshmërisë së hetimeve”.

Durmishi tha se informacione të ndryshme që qytetarët ia kishin drejtuar Ministrisë në lidhje me keqpërdorime në marrjen e patentë-shoferëve, kishte nxitur një monitorim brenda njësive që i lëshojnë këto leje për vozitje.

Departamenti i Patentë-shoferëve është institucion brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Në kuadër të këtij departamenti, nëpër shtatë komunat kryesore të Kosovës ekzistojnë qendra ku qytetarët mund të testohen me shkrim dhe në pjesën praktike për të marrë leje për të vozitur automjete, që ndryshe njihet si patentë-shofer.

Siç tha zëvendësministri, nëpër qendra ku kishin bërë kontrolle, gjetje më të dyshimta kishin hasur në Njësinë e Pejës.

Atje, sipas Durmishit, gjatë vitit 2023, mbi 600 kandidatë, shumica prej tyre nga komuna të tjera, kishin kaluar provimin praktik të vozitjes.

“Është shumë e dyshimtë atëherë kur një kandidat nga Kamenica shkon në Pejë për provim praktik”, tha Durmishi.

Në hulumtimet e mëtejshme, sipas Durmishit, zyrtarët e Ministrisë kishin gjetur mospërputhje në dokumentacionet që dëshmojnë proceset që kandidatët i kanë kaluar për ta marrë patentë-shoferin.

Shembuj ishin raste kur sipas informacioneve në dokumentacion kandidatët figuronin se kishin kaluar provimet në dy qendra të ndryshme në vite të ndryshme.

Si shembull, Durmishi e përmendi edhe gjetjen që një ekzaminer ( testues për provim praktik), ishte angazhuar në njësinë e Pejës vetëm për dy javë dhe kishte kaluar mbi 200 kandidatë në provim praktik.

“Kjo është dukshëm mbi mesataren dhe kryesisht janë kandidatë të komunave të tjera”, tha Durmishi.

Ai shtoi se në rast që këto dyshime vërtetohen nga Gjykatat kompetente, Ministria do të anulojë testet e dyshimta dhe do të konfiskojë patentë-shoferët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazmend Gjerqeku B.I, shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…