Prokuroria nis hetimet për tentim-vrasjen e një zyrtari të BE-së
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për rastin e therjes me mjete të mprehta të një zyrtari të Zyrës së Bashkimit Evropian.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, deklaroi Luta.
Ajo shtoi se gjatë kësaj faze nuk mund të ndajnë më shumë informacione për këtë rast.
Ndërsa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se janë të tronditur nga lajmi se një zyrtar i BE-së në Gjakovë është therur me thikë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet.
“Jemi të shokuar nga ky lajm dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Hetimi është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse është hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, deklaroi Gaon.
Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të mëkurën ka njoftuar se një shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, pasi dyshohet se është therur me thikë.
Rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së martës, teksa viktima dyshohet se ka pasur dy plagë kur ka pranuar trajtim mjekësor.
Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.



