Prokuroria Speciale paralajmëron ngritjen e aktakuzës për sulmin ndaj familjes Jashari

21 qershor 2026 | 20:59

Autorët e krimit që u krye në mars të vitit 1998 mbi familjen Jashari, pritet që së shpejti të listohen në një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka ndarë shumë detaje rreth kësaj, por vetëm ka paralajmëruar se ky rast është duke u trajtuar me prioritet dhe se së shpejti do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës”, tha Prokuroria për Dukagjinin.

Paralajmërimin për ngritjen e aktakuzës, për sulmin ndaj familjes Jashari e kanë mirëpritur në organizatën e veteranëve të UÇK-së, por thonë se është dashur të bëhet vite më parë.

“Është vonuar ky rast shumë jo vetëm ky rasti te lagjia Jashari dhe familja Jashari por në tërë Kosovën, janë vonuar gjykatat tona dhe supreme e Kosovës, por sido kudo unë e përshëndes dhe e mirëpres jemi mirënjohës shumë për drejtësinë që të hetohet rasti masakra në Prekaz në familjen Jasashri, që prokurorët tonë të marrin në dorë dhe të hetojnë”, ka thënë kreu i UÇK-së, Hysni Gucati.

Hetimi i krimeve të luftës, në të kaluarën është bërë nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i, ndërsa nga vitit 2018 kompetencat kanë kaluar tek Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka departamentin e veçantë për hetimin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti  Asnjë qeveri serioze në botë nuk troket…