Prokuroria thotë se ka prova ndaj të akuzuarve për sulmin në Kuvend, mbrojtja e quan procesin politik

07 dhjetor 2021 | 14:02

Prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu ka thënë se ka prova ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, të cilën po akuzohen për sulm në Kuvend. Ndërsa, mbrojtja ka thënë se ky rast është politik.

Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, katër të akuzuarit po dyshohen nga Prokuroria Speciale si përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Fejzullahu, katër të akuzuarit edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm.

Prokurorja Fejzullahu ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë para trupit gjyqësor të kaluar më 3 shtator 2020 dhe e njëjta ka deklaruar se kjo aktakuzë është e mbështetur dhe e arsyetuar me prova të shumta materiale dhe jomateriale, pas administrimit të të cilave, sipas prokurores Fejzullahu do të vërtetohet teza e akuzës.

Për dallim nga prokurorja Fejzullahu, mbrojtja ka pretenduar se në këtë rast nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Arifi, avokati Ramiz Krasniqi përveç që ka mbetur pranë fjalës hyrëse, ka thënë se ky rast është rast politik dhe sipas tij, provat materiale paraqesin të kundërtën e asaj që pretendon aktakuza.

Edhe mbrojtësi i Frashër Krasniqit, avokati Florent Latifaj ka mbetur pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar dhe i njëjti ka përsëritur propozimin që procesverbali mbi identifikimin e personave i bërë nga dëshmitari Eset Ramadani të shpallet si provë e papranueshme.

Sipas tij, Eset Ramadani kishte dhënë deklaratë në polici në cilësinë e dëshmitarit më 5 dhe 6 gusht 2016, ndërsa një ditë më pas, më 7 gusht 2016, prokurori i atëhershëm sipas avokatit, kishte nxjerrë aktvendim mbi zgjerimin e hetimeve dhe e kishte përfshirë si të dyshuar edhe atë.

Avokati Latifaj ka thënë se pas disa ditësh, konkretisht më 26 gusht 2016, ky person ishte ftuar në polici për të dhënë një deklaratë dhe për ta bërë identifikimin e personave përmes fotografisë dhe se cilësinë e të dyshuarit e ka pasur deri më 16 shtator 2016, kur edhe kishin pushuar hetimet ndaj tij.

Për këtë arsye, avokati ka kërkuar nga gjykata që ky procesverbal të shpallet provë e papranueshme.

Avokatja e të akuzuarit Egzon Haliti, Florije Manaj-Zogaj, ka mbetur në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë nga avokati Emrush Kastrati.

E njëjta ka përsëritur propozimin e avokatit Kastrati, që në cilësinë e dëshmitares të ftohet Fjolla Blerim-Qavolli, e cila sipas saj do të dëshmojë se i akuzuari Haliti në kohën kur ka ndodhur sulmi në Kuvend kishte qenë në shoqërinë e saj në një banesë në Bregun e Diellit, në Prishtinë.

Avokati Ali Beka i cili e mbron të akuzuarën Adea Batusha ka thënë se nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se në këtë rast ka prova të mjaftueshme, pasi sipas tij, vet Gjykata e Apelit provat kyçe në këtë çështje penale i kishte konsideruar si prova të cilat ishin marrë në kundërshtim me nenin 220 të KPPRK-së.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Mentor Krasniqi, i cili është pyetur nga prokurorja Fejzullahu në lidhje me një deklaratë të dhënë në gusht të vitit 2016 në polici.

Por, mbrojtësi i Adea Batushës, avokati Ali Beka e ka kundërshtuar marrjen në pyetje të prokurores për këtë deklaratë, pasi sipas tij dëshmitari ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

Me këtë është pajtuar edhe prokurorja Fejzullahu e cila ka thënë se nuk do të parashtrojë pyetje në lidhje me këtë deklaratë, por e njëjta e ka pyetur dëshmitarin se me çka është marrë në vitin 2016 dhe çfarë lloji të telefonit kishte mbajtur.

Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se në atë kohë ka qenë i papunë dhe se nuk i kujtohet se çfarë lloj telefoni kishte mbajtur.

Pasi për dëshmitarin Krasniqi nuk kishte më pyetje as nga ana e prokurores Fejzullahu e as nga ana e mbrojtjes, anëtarja e trupit gjykues gjykatësja Violeta Namani e ka pyetur dëshmitarin se a kishte bërë ndërrimin e telefonave.

Por, këtë e ka kundërshtuar mbrojtësi i Atdhe Arifit, avokati Ramiz Krasniqi i cili ka thënë se anëtarja e trupit gjykues nuk ka të drejtë të parashtrojë pyetje nëse asnjëri nga palët nuk i ka parashtruar pyetje dëshmitarit.

Por, gjykatësja Namani ia ka tërhequr vërejtjen avokatit që të mos e pengojë dhe ka vazhduar me marrjen në pyetje.

“Edhe kur më kanë arrestuar herën e parë policia nuk e di pse m’kanë marrë. Shumë vonë në media e kam parë për sulmin ndaj Kuvendit, kur më kanë marrë në pyetje më kanë thënë se ti e ke gjuajtë Kuvendin”, ka thënë në fund dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 28 dhjetor 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Qerim Kryeziu Në kronikat që kanë për tematikë jetëshkrimet…