
Pronarët e tokave në fshatin Uglar i japin mbështetje impiantit të ujërave të zeza
Në Komunën e Gjilanit është mbajtur dëgjim publik me pronarët e tokave nga fshati Uglar, ku është prezantuar projekti për impiantin e ujërave të zeza dhe veprimet që do të marrë komuna lidhur me shpronësimin e pronave private për interes të përgjithshëm, bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës.
Drejtori i Drejtorisë Komunale për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Sali Fazliu, ka potencuar hapat që ka marrë Komuna e Gjilanit dhe ecurinë e planifikimit të deritashëm, për implementimin e projektit të impiantit që nga ekspertët të cilët kanë bërë studimin e fizibilitetit është vlerësuar se duhet të vendoset në bashkimin e lumenjve Morava, Mirusha dhe Stanishorka.
Fazliu gjithashtu, ka theksuar se rëndësia e këtij projekti është e jashtëzakonshme dhe në kuadër të këtij projekti është planifikuar edhe ndërtimi i kolektorëve të cilët trajtojnë edhe lumenjtë tjerë.
Ai ka njoftuar se ky projekt është meritë e kryetarit Lutfi Haziri, i cili ka siguruar edhe mjetet buxhetore përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që është financuese e projektit.