PROTESTA PËR DREJTËSINË – KUNDËR PADREJTËSISË

06 gusht 2025 | 11:26

Lulëzim ETEMAJ

Më 25 janar 2011, pas një debati disaorësh, anëtarët e Këshillit të Evropës miratuan raportin e anëtarit liberal zviceran, Dick Marty, që trajtonte çështjen e trafikimit të dyshuar të paligjshëm të organeve në Kosovë. Nga ana e tyre u kërkua nisja e një hetimi serioz.
Raportuesi zviceran, Dick Marty, mori lëvdata dhe njohje të konsiderueshme për punën e tij “të shkëlqyer dhe të vështirë”. Ai u vlerësua gjerësisht për angazhimin. Në mënyrë të veçantë, u theksua vendosmëria e tij për të hetuar pretendimet për marrje organesh nga të burgosur serbë gjatë luftës në Kosovë.
Raporti në fjalë u bë bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë- institucione të krijuara me qëllim hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në periudhën 1 janar 1998- 31 dhjetor 2000.
Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor të gjertanishëm ndaj udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar të faktojë akuzën mbi trafikimin e paligjshëm të organeve, ndonëse ka pranuar materiale të fabrikuara nga autoritet serbe, përfshirë shërbimet e inteligjencës dhe institucionet gjyqësore të tyre.
Pavarësisht këtij dështimi, Dhomat dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar jo vetëm që nuk kanë reflektuar mbi mungesën e provave, por kanë shfaqur shenja të njëanshmërisë evidente. Në disa raste, është vërejtur edhe tejkalim i kompetencave, përfshirë lejimin e prokurorit të Prokurorisë, John Devaney, të infiltrohet në Qendrën e Paraburgimit duke marrë rolin e gardianit, veprim i papranueshëm për një trupë gjyqësore që duhet të përfaqësojë standarde të larta të drejtësisë ndërkombëtare.
Kujtojmë se pas përfundimit të luftës, nga 11 qershori 1999, në Kosovë janë vendosur trupat paqeruajtëse të KFOR-it, me mandat të qartë për të siguruar rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët. UÇK-ja është demilitarizuar zyrtarisht në fund të gushtit 1999. Për rrjedhojë, përpjekjet për t’i bërë përgjegjës UÇK-në, pjesëtarët apo dhe katër krerët e saj, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, për ngjarje të ndodhura pas kësaj periudhe janë juridikisht të pajustifikueshme dhe politikisht të rrezikshme.
Në këtë kontekst, tentimi për ta rishkruar historinë dhe për ta barazuar viktimën me agresorin përbënë rrezik serioz për paqen, drejtësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Për këto arsye, protesta e paralajmëruar për datën 7 gusht 2025, ora 17:00, në Prishtinë, është më se e nevojshme. Është e domosdoshme- për drejtësinë, kundër padrejtësisë që po u bëhet krerëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së në emër të drejtësisë!
Protesta kundër këtij procesi me karakter të theksuar politik nuk do të duhej të kufizohej vetëm në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, por të mbahej edhe para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Këshillit të Evropës në Strasburg, selisë së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë si dhe Bashkimit Evropian, në Bruksel.
T’i bëhet thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare, institucioneve evropiane dhe instancave relevante të drejtësisë ndërkombëtare që të rishikojnë me kujdes këtë proces dhe të sigurojnë që parimet e shtetit të së drejtës të mos përdoren si vegël e padrejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka paralajmëruar pjesëmarrjen në protestën…