Protestohet edhe në Kroaci për ish-krerët e UÇK-së: “Liri për çlirimtarët”
Më 5 korrik nga ora 18:00 do të mbahet protestë në Kroaci, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo u bë me dije nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media.
“Konferenca ka të bëjë më protestën e radhës e cila do të mbahet në Zarë të Kroacisë: ‘Liri për çlirimtarët’. Ne e dimë që jemi në fund të procesit në Hagë dhe shpresojmë që më 20 korrik do të jetë në favorin tonë gjithë ajo punë që është bërë nga mbrojta dhe nga ne. Ne do ta mbajmë një protestë ditën e diel, më 5 korrik, në orën 18:00 të organizuar nga shqiptarët në Kroaci dhe nga kroatët”, ka thënë ai.
Gucati i ka bërë thirrje mërgatës që t’i bashkohen kësaj proteste.
“Ju bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që jetojnë, punojnë e veprojnë në shtetin kroat, pra edhe mërgatës të cilët janë edhe në pushime në Kroaci apo kudo që janë, që me datën 5 korrik, ditë e diel, në orën 18:00, në Zarë të Kroacisë t’i bashkëngjiten protestës “ ‘Liri për çlirimtarët’. Protesta do të mbahet në Park në Zarë. Shpresoj se aty do të marrin pjesë edhe arbëreshët, sepse janë dy lagje arbëreshe me vite e vite që jetojnë në Zarë ku është edhe kërkesë e tyre, pasi edhe ata kanë kërkuar ta mbajnë një protestë për çlirimtarët tonë”, ka shtuar Gucati.
Ai shpreson se kjo do të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë.



