Protestuesit në Iran shfaqen me flamurin e Shqipërisë në duar: Mbyllni kampin e muxhahedinëve në Durrës

30 qershor 2023 | 18:14

Një protestë është organizuar në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ku është bërë thirrje për mbylljen e kampit “Ashraf-3” të muxhahedinëve në Manëz të Durrësit.

Sipas mediave iraniane, në protestë kanë marrë pjesë grupe aktivistësh të shoqërisë civile, anëtarë të organizatës “Nejat Society” si dhe familjarë të muxhahedinëve iranianë që janë strehuar në Shqipëri.

Me flamuj shqiptar në duar dhe pankarta ku bëhet thirrje për mbylljen e kampit “Ashraf-3”, ata kanë protestuar përpara ambasadës turke në Teheran, kjo pasi Turqia përfaqëson interesat e Shqipërisë pas shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Protestuesit pretenduan se kampi është një qendër për pastrimin e parave dhe abuzimet e të drejtave të njeriut dhe lëshuan një komunikatë duke kërkuar nga autoritetet shqiptare të gjykojnë udhëheqësit e atij që e quajnë “kulti terrorist MKO”.

Pak ditë më parë, forca të shumta të policisë shqiptare kryen kontrollin e ambienteve të kampit, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas dyshimeve se nga aty kryheshin aktivitete ilegale si sulme kibernetike ndaj Iranit.

Sipas marrëveshjes për strehimin e tyre, kampi “Ashraf-3” konsiderohet territor shqiptar, dhe çdo aktivitet i jashtëligjshëm nga aty, do të sillte implikime edhe për Shqipërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 100 persona kanë humbur jetën në Meksikë si…