Provokimet në veri, rreziku potencial i agresionit serb dhe veprimet tona

16 prill 2022 | 00:19

Shkruan: Hajdin Abazi

Gjatë 13-15 prillit katër sulme janë bërë ndaj forcave të rendit në veri të vendit.

Ky është fakti, për çka ambasada e SHBA-ve, KFOR-i, shefi i BE ne Kosovë, OSBE dënuan këtë dhunë, si një sulm ndaj atyre forcave që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Derisa gjendja faktike mund të provohet, pra se kishte sulm të përgatitur, ajo që ende nuk mund të provohet – është se cilët ishin sulmuesit dhe objektivat e tyre me dhe përtej aktit.

Ka disa rrethana që sugjerojnë se kush mund të jenë ata. Afërmendsh se janë njerëz të instrumentalizuar nga Serbia zyrtare, e ata mund të jenë kontrabandistë, kriminelë ordinerë, njerëz të nëntokës, njësi të përgatitura nga Serbia, radikalë, ekstremistë etj. etj.

Më shumë se kjo, ajo që ka rëndësi është qëndrimi i Serbisë. Heshtja e saj është inkurajim i akteve të tilla terroriste; madje është edhe përkrahje.

Reagimi i Petkoviçit është krejt destruktiv: ai këto sulme ndaj policëve të Kosovës i quajti sulme ndaj serbëve! Sulmet që i kanë kryer vetë serbët, qenkan sulme të shqiptarëve ndaj serbëve. Kaq i pacipë mund të jetë vetëm një politikan i kallëpit të Petkoviçit, e kjo na e kujton thënien e Qosiqit se serbët gënjeshtrën e kanë strategji në politikë.

Ndonëse u bë thirrje nga diplomatët e vendeve mike për të mos spekuluar, me fjalë të tjera për mos me përdorë retorikë luftënxitëse, këto zhvillime janë tregues të disa skenarëve të mundshëm.

Këto sulme kanë paksa ngjashmëri me ato të fillimit të agresionit rus në Ukrainë, kur vetë Putini thoshte se po bëjmë stërvitje ushtarake dhe nuk do te sulmohet Ukraina. Pastaj rusët e instrumentalizuar në Ukrainë shpallën pavarësine në Luhansk e Donsk dhe ftuan Rusinë t’u dilte në mbrojtje, si pretekst për të nisur agresionin në tërë Ukrainën. A mund të ndodhë kjo me veriun e Kosovës – mbetet të shihet nga zhvillimet, por nuk duhet të harrohet ky skenar i Putinit, që lehtë, me pak modifikim, mund të bëhet edhe i Vuçiqit.

Një skenar tjetër mund të jetë deklarata e Dick Marty-t për atentatin nga qarqet e sigurimit serb ndaj tij. Kjo ishte një “boom” që e diskreditoi Serbinë, sepse, në thelb, tregon se për shkak të ndonjë pakënaqësie dhe rebelimi të mundshëm të D. Martit, mund të plandosej për tokë kauza e rreme kundër UÇK dhe luftës sê saj të drejtë çlirimtare – ndaj likuidimi i tij do të eliminonte një rrezik të tillë. Ndonjë konflikt në veri të Kosovës, për shkak të rrezikut të hapjes së një vatre të re agresioni po në Europë, do të nxirrte në plan të dytë D. Martin me aferën e tij, dhe do të flakej në harresë ai publicitet.

Serbia duhet të distancohet nga aktet terroriste, t’i dënojë publikisht dhe të kooperojë për kapjen e aktkryesve të sulmit. Presidenti serb Vuçiq, para ca kohe deklaroi se ai i ka premtuar perëndimit se nuk do të shkaktojë trazira. Ky do të mbetet një premtim mashtrues, nëse ai nuk ndërmerrë veprime për të ndaluar sulmet e tilla agresore.

Duhet mbajtur parasysh se Serbia ka traditë të luajë në shumë letra, dhe nuk përjashtohet edhe mundësia që vetë të nxisë ndonjë skenar “fake”, që ajo, me ndêrhyrjet e saja, të shfaqet në rolin neutralizues ndaj një eskalimi potencial për të përfituar poena nga perëndimi që kontribuoi në mosndezjen dhe shuarjen e një konflikti.

Rrjedhat e së ardhmes do të zbardhin gjithçka.

Por pushtetarët dhe institucionet e Kosovës duhet të mos bëhen rrahagjoks trimërie sepse potencialet luftarake të Kosovës e të Serbisë janë të ditura. Në vend të kësaj, përmes komunikimeve në rrugët zyrtare – Presidentja e Kryeministri duhet të informojnë drejtë e sakt Washingtonin, ambasadat e Quintit dhe Bashkimin Europian, si dhe të sinkronizohen për gjithçka me to që, me dashje ose pa të, të mos përfshihemi në ndonjë rol në ndonjërin nga skenarët apo skenarët e Serbisë.

Situata është tepër serioze, dhe kjo na ka gjerur në një rrethanë kur diplomacia e Kosovës është thuaja e paralizuar për shkak të yryshjes degraduese ndaj saj nga vetë kryediplomatja dhe aspak e aftë për një situatë si kjo, situatë e cila ka qenë e pritshme.

Ajo çka realisht dhe konkretisht mund të bëhet dhe që duhet bërë me shumë sinqeritet dhe korrektësi është bashkërendimi me KFOR-in, për të vepruar në terren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari për media i Zyrës së Presidencës së Kosovës, Bekim…