Provokimi, armë e mendjeve inferiore

27 qershor 11:14

Alfons Grishaj

Inteligjenca e kulluar e njeriut nuk e njeh formën provokuese si një mënyrë të marrëdhënieve në shoqëri, përkundrazi, jo vetëm që nuk e ushqen, por e lufton dhe e dënon atë si një reaktiv inferior. Provokimi politik është armë e mendjeve inferiore që përdoret për ta nxitur apo përshkallëzuar konfliktin mes “palëve”. Ajo është arma e preferuar e diktatorëve ose diktaturave për të bërë trysni mbi kundërshtarin, nganjëherë shërben edhe për ta trimëruar veten në situata paniku. Provokimi politik nuk është komponent i formimit estetik sepse, në thelb, estetika është nëna e etikës, funksioni i së cilës është ta ngrejë cilësinë e komunikimit të individit në nivelet më të larta, duke mos e lënë të bjerë në banalitete dhe veprime të ulëta për qëllime meskine, anakronike, diabolike që prishin ekuilibrat brenda një shoqërie, aq më tepër kur këta ekuilibra janë tejet të brishtë, siç është rasti i shoqërisë sonë që kërkon të krijojë një vetësiguri dhe mbijetesë.
Gjithë këto ditë kam ndjekur me vëmendje provokimet e një qeverie dhe një kryeministri në panik. Qetësia e shtirë dhe batutat e dala boje, padisin shformimin e amalgamës së një klani aventurier që është duke u vetëgremisur. Arrestimet politike janë forma më evidente e degradimit të një qeverie diktatoriale, e cila mund të arrestojë, të godasë, të helmojë dhe të shtypë përkohësisht me mjetet e dhunshme masat, por kurrë nuk mund të fitojë mbi lirinë! Çdo njeri që ka lexuar historitë e diktaturave, e di mirë çfarë është dallga e lirisë: fundin e turpshëm të diktatorëve, mbase dhe të tmerrshëm. Një filozof (!) thotë: “Populli që rrihet pret të ngre krye”! Këtë thënie pothuajse e ka harruar klasa e politikës shqiptare, veçanërisht “Rilindja” e Ramës.

Pjesë e turpshme e provokimit politik u bë e ashtuquajtura “Opozita e Re”, teprica listërore që mbiu në Parlament nga fara e “Rilindjes”, e që po i shërben Ramës si helmetë për t’i ruajtur kokën. Ky formacion pa identitet, i përbërë nga individë që hiqen si të zgjedhurit e popullit dhe flasin në emër të elektoratit, megjithëse propocionalë në lista pa ballafaqim e personalitet hipotekalpolitik, është një tjetër dëshmi e disfunksionit të demokracisë tek ne, që tregon se sa serioze dhe emergjente është situata politike në vendin tonë. Përveç dy anëtarëve të listës emërore të Opozitës së Re, asnjë tjetër nuk ka fuqi për të kandiduar pa siglën e Partisë Demokratike apo të LSI… Të gjendur aksidentalisht në Parlament, në karriget e rreshtuara në krahun e opozitës, ata flasin për një moral opozitar që, përveçse nuk është opozitar, nuk është as fare moral por, thjesht, një prostitucion politik, që ka për qëllim të krijojë një imazh “normaliteti” të ligjvënësit, aq më tepër sot kur kauza e opozitarizmit është kryeçështja e ditës në Shqipëri. Dublimi i opozitës është gjithashtu akti më i shëmtuar politik që pas shembjes së diktaturës në Shqipëri. Asnjë ish-kryeministër nuk e ka tentuar e, ndoshta, as që e ka çuar ndërmend këtë skenar. Ky lloj “legjitimiteti” i një parlamenti ilegjitim, që ka humbur çdo lloj sensi logjik para një opinioni të shëndoshë, është shndërruar në një grotesk që ngjall njëherazi gaz dhe trishtim! Vallë kjo është elita e ndërgjegjes së nacionit?! Jo! Atëherë pse jemi katandisur në këtë gjendje? Epo… Shqipëri hesapi. Në Kuvend mund të shkojë gjithkush! Në traditën tonë etnike, në Kuvend shkonin vërtet të gjithë, por protagonist nuk mund të ishte gjithkush. Flisnin të urtët, trimat dhe të tjerët dëgjonin dhe bindeshin. Vendosej për të mirën e përgjithshme dhe zbatohej me vullnet nga të gjithë. Parlamenti aktual është i atillë si rezultat i devijimit nga demokracia. Sepse demokracia e vërtetë nuk definohet nga numrat. Po të ishte për numrat atëherë rekordi iu përket diktaturave.

Rasti i provokimit të presidentit të Republikës për shkarkim është tjetër dëshmi se rendi kushtetues në Shqipëri ka rënë. Vendi ka shkuar nga republika parlamentare drejt asaj kryeministrore të tipit musolinian. Të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend, që nga policia e deri te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po iu binden verbërisht urdhrave të kryeministrit, edhe pse e dinë se veprimi i tyre është shkelje flagrante e ligjit, ndërkohë që në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese çdo sulm ndaj institucionit të presidentit s’është tjetër veçse grusht shteti. Vetëm kjo Gjykatë ka të drejtë t’i shqyrtojë vendimet e Presidentit gjatë ushtrimit të kompetencave të tij.
Aventurierët rozë vazhdojnë revanshin… nuk ndalen, duke matur pulsin opozitar me instrumentin kriminal të provokimit, për të parë se sa duron opozita? Tani Ramëzinjtë po përgatiten që të nxjerrin një “ligj” të ri puro komunist, sipas të cilit, njerëzve që protestojnë kundër Komisioneve zgjedhore t’u ndalohet dalja jashtë atdheut për 5 deri 10 vjet. Ky është budallallëku dhe çmenduria më e madhe që mund të kem dëgjuar ndonjëherë. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut!!!
Arrestimi i më se 190 protestuesve të opozitës, kërcënimi i Bashës me pisllëqet e teneqexhiut, arrestimi i ish-deputetit Bardh Spahia, provokon opozitën për t’u rënë trumbetave deri në skajin e fundit…, që pastaj klani socialist të shfajësohet në arenën ndërkombëtare: “E shikoni, nuk ishte faji ynë…!!!”.

Në Shkodrën dhe Kavajën e demokracisë po zhvillohen përleshje midis protestuesve e policisë politike, gjithashtu dhe në qytete të tjera si Tropojë, Kukës etj. Në Shkodër, kryetarja e Bashkisë nuk i dha leje Edi Ramës për ta zhvilluar mitingun në një nga sheshet kryesore të qytetit. Ai e zhvilloi me dhunë (rreth një mijë forca policie ishin bërë kordon për t’i bllokuar protestuesit) duke thyer ligjin. Ligjin duhet ta zbatojnë të tjerët, por ai jo?! Provokim i hapur për gjakderdhje! Voltana Azemi, kryetare Bashkie, autoritetplot, një zonjë e nderuar që vjen nga një familje e persekutuar, e cila u shqua që më 2 prill 1991, si një trimëreshë antikomuniste, tani ajo hahet dhëmb për dhëmb me Ramëziun, një laraman në shpirt dhe në psikë. Rama, që deri dje mburrej për mjeshtërinë e tij në artin e provokimit, tashmë duket se ka dalë fare jashtë kontrollit. I provokuar nga kriza që ka shkaktuar vetë, ai përpiqet të kapet pas imazhit të mbështetjes perëndimore duke shfrytëzuar për këtë deri dhe agjendën e rutinës diplomatike. Mos mendon ai se ka në krah Perëndimin dhe duhet t’i hipë në shpinë opozitës?! Një gjë nuk e di ai dhe diletantët politikanë dhe nuk e kuptuan kurrë, se Perëndimi, bën rokadën sipas situatave, bile, kur mendon se i ke fituar dhe i ke miq… papritmas i humbet, sepse ata i kanë të shenjta parimet e lirisë dhe nuk i shkelin kurrë.

Provokimi politik është lojë e mendjeve inferiore që moleps rangun më të ulët të shoqërisë civile, politike dhe ushtarake, të cilët nuk janë kurrë në gjendje të ngrihen në nivelin e lidershipit intelektual bashkëkohor, për t’i shërbyer filozofisë së bashkëpunimit, zhvillimit, stabilitetit dhe qeverisjes se një shteti sipas parimeve dhe standardeve të demokracisë së vërtetë. Prandaj Shqipëria zvarritet në agoni, duke kaluar nga ekstremi në ekstrem.
Shqiptarët do t’i gëzojnë frytet e lirisë vetëm atëherë kur pushtetarët e tyre të kuptojnë se respekti për kundërshtarin politik është një nga vlerat më të larta që kultivon demokracia. Këtë virtyt e gëzojnë natyrisht vetëm liderët e emancipuar, por jo provokatorët e konflikteve politike, që synojnë ta zgjasin pushtetin nëpërmjet zgjatjes dhe thellimit të krizës politike e cila i ka zënë frymën mbarë shoqërisë sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënë e bijë rezervuan një dhomë në një hotel me…