Akrobacionet e Kurtit mund të kenë prapaskenë gjeopolitikën nga Spanja

21 prill 2026 | 16:00

Shkruan: Hajdin Abazi

Kur herën e fundit shkruajta “https://www.epokaere.com/per-gjithcka-fajtore-opozita-me-mire-fare-pa-te/ për gjithçka, më mirë pa të fare” nuk besova se kaq shpejt do të konfirmohej ajo që postulova. Por ja që vet Kurti e tregoi se pikërisht këtë e do. Ai ia hodhi fajin përsëri opozitës. “Ne u treguam gjenerozë”, tha! Gjenerozitet i vërtetë do të ishte t’i thoshte njërës parti opozitare – propozoje një emër të pranueshëm për president – dhe LVV e voton. Duke mos e bërë këtë, ajo që Kurti e quan gjenerozitet nuk është tjetër veçse hipokrizia më e madhe e thënë ndonjëherë nga një kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe për të krijuar opinion për penguesin kujdestar! Po çfarë burrështetari është ai që me 51% të votave në Kuvend pengohet nga opozita. Kjo tregon mosgatishmëri për kompromis edhe kur vullneti elektoral e ka përcaktuar këtë.

Merreni me mend ç’po i thotë opozitës: meqë i ke vetëm 22 përkatësisht 10 deputetë, po të jap zëvendëskryeministrin dhe tri ministri (LDK), ose kryeparlamentarin (PDK). Një marrëveshje e tillë do të kishte kuptim para formimit të qeverise e zgjedhjes së kryesisë së kuvendit, kur mund të viheshin edhe këto alternativa në tavolinë. E tash është presidenti në rend dite, dhe ai e di mirë se zgjidhja është te dakordimi që opozita ta ketë presidentin, sepse LVV nuk i bën dot 80 vota në Kuvend që të mundet ta zgjedhë presidentin pa opozitën. Këtu është shkaku demokratik pse duhet bërë marrëveshja me PDK-në ose LDK-në. Por pikërisht këtë nuk e do. Synohet skenari i 28 dhjetorit 2025: në kohën e pushimeve verore i synon zgjedhjet e reja parlamentare kur kthehet diaspora, duke manipuluar me ndjenjat e tyre atdhetare. Me këtë opozitë të lodhtë e të shkapërderdhur, mbase e arrin ëndrrën t’i bëjë 70 deputetë, plus 11 të minoriteteve që t’i marrë të tria postet më të larta të shtetit me çka demokracia do të mbetej vetëm dekor.

Këto akrobacione të Kurtit kam bindjen se nuk janë aspak të dobishme për Kosovën dhe për gjendjen e saj në kontinent e në glob. Kryeparlamentarja, e eksponentë të LVV-së dhe vetë Kurti flisnin për nevojën e përfundimit të konstituimit të institucioneve përmes arritjes së një ujdie për presidentin. Duket se kishte gatishmëri për këtë. Por pas pjesëmarrjes së Kurtit në takimin e të majtëve në Spanjë, ndryshoi kursi akrobatik. Mundet të jetë në funksion të gjeopolitikës së majtë kundër gjeopolitikës së të djathtëve. Do të ishte absurde që të bëhej Kosova kurban për interesat e atyre të majtëve që as na kanë njohur si shtet!

E keqja është se Kurti po e fut Kosovën në një kurthë gjeopolitike pa i treguar popullit. Le të del e të tregojë hapur se kah do ta orientojë gjeopolitkisht Kosovën dhe nëse e voton populli – le ta bëjë. Po jo duke e infiltruar interesin që nuk është i Kosovës sepse ky nuk do të ishte vullneti kombëtar.

Akuzat e Kurtit dhe i eksponentëve të LVV-së, si parti në pushtet, kundër opozitës është i pashembullt edhe nga socialdemokratët evropianë. Askush prej tyre nuk do të luante me fatin e vendit të vet, ashtu si po bën Kurti. Kjo do të kishte kuptim vetëm po qe se ai synon njëmend ta eliminojë opozitën dhe pluralizmin politik e ta bëjë një përmbysje të sistemit politik nga kapitalist-demokratik në socialist-monist! Në rrethanat e tashme do të ishte fatale për Kosovën, sepse edhe BE, SHBA e vendet e tjera transatlantike do të ishin kundër. Si këmbim mbase do ta merrnim mbështetjen e Kinës e të Rusisë, porse këto janë aleatet më të ngushta të Serbisë, e cila ende nuk i ka shuar pretendimet për rigllabërimin e Kosovës.

A ka rrezik realisht të futemi në këtë katrahurë gjeopolitike? Kurti duket se nuk e ka problem këtë, për të ngjallur në nivel kontinetal e mbase edhe global një oreks gjeopolitik të të majtëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi Berat Gjimshiti ka gjasa të mëdha të largohet nga…