PSD hap fushatën në Prishtinë me aksion simbolik të djegies së kartëmonedha
Partia Socialdemokrate ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit përmes një aksioni simbolik, ku u dogjën disa kartëmonedha për të paraqitur, siç u tha, fundin e “opozitarizmit formal” në Kosovë.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se Kosova gjatë pesë viteve të fundit praktikisht ka funksionuar pa opozitë reale, duke akuzuar subjektet opozitare se kanë ndjekur interesa të ngushta politike e financiare, në vend të kontrollit të pushtetit.
“Kosova është qeverisur nga një subjekt pa opozitë, pa kundërshtime dhe pa kontroll mbi këtë qeverisje. Besojmë që kjo fushatë duhet t’i japë vulën e fundit kësaj situate, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës pas 7 qershorit të ketë opozitë të vërtetë. Besojmë se opozita e vërtetë ka një adresë, numrin 129, numrin e PSD-së”, ka thënë Molliqaj.
Ai e lidhi djegien simbolike të kartëmonedhave me, siç tha, nevojën për t’i dhënë fund modelit aktual të opozitarizmit në vend.
” Është koha vendimtare që të bëjmë një pikë prerjeje që partitë politike të jenë të organizuar rreth ideve rreth kauzave rreth çështjeve jo rreth interesave qofshin ato grupore apo individuale. Në mënyrë simbolike kemi paraqitur këtu mbrapa përmes valutave që opozita e derisotshme ka qenë opozitë që ka vrapuar pas interesave kryesisht klanore dhe financiare..”, ka shtuar Molliqaj
Partia Socialdemokrate insiston se vendi ka nevojë për një opozitë më aktive dhe më të zëshme kundrejt qeverisë.



