PSD-ja: Dialogu është në rrugë të gabuar

26 janar 2020 | 11:24

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka reaguar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas PSD-së, dialogu është në rrugë të gabuar. “Edhe një marrëveshje tjetër Kosovë – Serbi po paralajmërohet. Kësaj radhe flitet për linjën hekurudhore. Sërish procesi është i mbyllur, kurse qytetarët e Kosovës po vendosen para aktit të kryer. Linja ajrore Prishtinë- Beograd e desubjektivoi Kosovën sepse baza juridike e Marrëveshjes është Rezoluta 1244. Mënyra e njëjtë vështirë se prodhon rezultate të ndryshme”, është theksuar në reagimin e PSD-së.

PSD-ja ka vlerësuar se marrëveshja e re u paralajmërua nga deklarata për shtyp e vizitës së ambasadorit amerikan Grenell në Beograd.

“Kjo deklaratë zbuloi edhe diçka: se krerët në pushtet e të opozitës kanë dhënë pëlqim për marrëveshjet e arritura pavarësisht përmbajtjes e pa i parë mirë ato. I pyetur nga Koha Ditore ambasadori Grenell ka thënë: ‘për marrëveshjen në fjalë e ka pëlqimin edhe nga qeveria në detyrë, por edhe nga partitë politike që po negociojnë për koalicionin qeverisës'”.

“Marrëveshjet e arritura nga ky proces janë të dëmshme sepse secila marrëveshje mbi fushën konkrete që nuk paraprihet nga marrëveshja politike e njohjes reciproke cënon subjektivitetin politik të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë reagim.

Sipas PSD-së, negociatat midis LV-së dhe LDK-së nuk duket se e kanë pasur subjekt diskutimi këtë çështje.

“Mosmarrëveshja e tyre nuk është dialogu me Serbinë, por as programi e cilësia e qeverisjes. Siç duket diskutimet e tyre lidhen vetëm për hisen e pushtetit. Marrëveshjet e tilla, larg syve të publikut dhe në dëm të shtetësisë së Kosovës nuk duhet të ndodhin. Kosova duhet t’i identifikojë dhe t’i mbrojë interesat jetike të saj në dialogun me Serbinë. Ndërkaq, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje bllokuese është fakti që ky proces ka qenë pjesë e llogarive ditore për ruajtjen ose marrjen e pushtetit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zinedine Zidane merr në mbrojtje Garet Bejlin dhe thotë se…