PSD-ja kërkon nënshkrime nga qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje
Partia Socialdemokrate (PSD) ka nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet nga qytetarët.
Me mbledhjen e këtyre nënshkrimeve ata po kërkojnë pjesëmarrjen e këtij subjekti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo iniciativë nuk është mbështetje për votë, por për të qenë pjesë e garës në zgjedhje.
Ai ka thënë se në këto zgjedhje do të garojnë për të qenë opozitë.
“Kërkesa e njerëzve ka qenë në tri palë zgjedhje radhazi që Partia Socialdemokrate të garojë. Tani kemi vendosur për të garuar në zgjedhje, qysh e patë edhe ju, mbështetja prej qytetarëve për garimin tonë nuk është mbështetje për votë por është mbështetje që të jemi pjesë e kësaj gare. Rezultatin zgjedhor do ta vendosin qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo çka ne do të angazhohemi është se Kosovës i mungon opozita. Kosova nuk ka pasur opozitë qysh duhet në këto vite të qeverisjes Kurti, dhe ne e kemi shprehur tashmë qartë për herë të parë po ndodhë në Kosovë që ne ekskluzivisht po garojmë për të qenë opozitë në mandatin e ardhshëm. Pra, ne nuk do të jemi pjesë e qeverive, por do të garojmë për ulëse të opozitës”, ka deklaruar Molliqaj.
I pari i PSD-së ka shtuar se opozitën që mund ta bëjë kjo parti, është më e afërta që i nevojitet Kosovës. “Besoj thellësisht se Kosova ka pasur opozitë të gabuar, edhe në kuptimin konceptual por edhe të qasjes. Rezultati është parë, andaj besoj se vendit i duhet një opozitë tjetër. Ne si PSD jemi në garë me të gjithë. Jemi në garë edhe me Vetëvendosjen, edhe me PDK-në, edhe me LDK-në edhe me të tjerët, prandaj ne e kemi pozicionin tonë ekskluziv”, ka shtuar Molliqaj.



