PSD-ja kërkon që procesi i dialogut të jetë transparent

16 qershor 2020 | 15:55

Kryesia e Partisë Socialdemokrate (PSD) ka diskutuar të martën për situatën e përgjithshme në vend, duke përfshirë edhe çështjen e dialogut.

Kjo parti ka theksuar se Kosova duhet të hyjë në një proces dialogut me Serbinë vetëm nëse ky proces synon mbylljen përfundimtare të konfliktit përmes njohjes reciproke.

“Përfaqësimi duhet të jetë i bazuar në kompetencat kushtetuese, kurse procesi duhet të jetë sa më transparent e llogaridhënës. Një proces i tillë i siguron kredibilitet procesit, por ndihmon edhe në përmbajtjen sa më të dobishme të marrëveshjes”, ka njoftuar PSD-ja, raporton “Epoka e re”.

Njoftimi i plotë i PSD-së:

Nga mbledhja e Kryesisë

Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë. Temat e trajtuara në rendin e ditës përfshijnë gjendjen shëndetësore dhe socio-ekonomike të shkaktuar nga pandemia, zhvillimet e fundit karshi dialogut Kosovë-Serbi, dhe aktivitetet e organizimi i PSD-së.

Pandemia, sikur edhe rreziqet e natyrave tjera nuk i dëmtojnë të gjithë njerëzit njëjtë. Më të ekspozuarit ndaj rreziqeve janë punëtorët dhe shtresat e margjinalizuara. Qeveria që iku është treguar e papërgjegjshme në ndërhyrjen ekonomike që stimulon kërkesën agregate.

Qeveria aktuale, po ashtu nuk po ndërmerr masa që do ta mbushnin boshllëkun e krijuar. Jemi pajtuar se në momentin aktual, më shumë sesa disiplina makroekonomike është i rëndësishëm gjallërimi i ekonomisë.

Dialogu Kosovë-Serbi siç duket do të jetë tema kryesore politike e këtij viti. Duhet thënë se dy qeveritë e shkuara, më shumë brengoseshin për opinionin publik dhe kapitalizimin elektoral të çështjes se sa punë, angazhim e projekt për një dialog që mbron interesat e vendit.

Sipas nesh, Kosova duhet të hyjë në një proces dialogu vetëm nëse ky proces synon mbylljen përfundimtare të konfliktit përmes njohjes reciproke.

Përfaqësimi duhet të jetë i bazuar në kompetencat kushtetuese, kurse procesi duhet të jetë sa më transparent e llogaridhënës.

Një proces i tillë i siguron kredibilitet procesit, por ndihmon edhe në përmbajtjen sa më të dobishme të marrëveshjes.

Përveç rëndësisë së madhe që ka përmbajtja e marrëveshjes, nuk duhet të harrojmë se zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit nuk na japin rehati për ta lënë një konflikt të hapur.

Përveç kësaj, zvarritja e gjatë e këtij procesi, e ka dëmtuar Kosovën edhe për së brendshmi. Projektimi i një rreziku të vazhdueshëm ka krijuar tensione politike, tensione këto që i janë mbivendosur zhvillimit, mirëqenies e demokracisë.

Përfundimisht, pas një marrëveshjeje përfundimtare që mbyllet me njohje reciproke Kosova nuk do të ishte më çështje e sigurisë, as brenda e as jashtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besa e Pejës e ka siguruar rikthimin në Superligë, pasi…