PSD-ja me aksion para zyrave të PDK-së dhe LDK-së
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka zhvilluar një aksion para zyrave të PDK-së dhe LDK-së, ku ka vendosur një pankartë me mbishkrimin “zotim publik”, përmes së cilës ka kërkuar nga këto parti që të deklarohen publikisht për qëndrimet e saj pas zgjedhjeve dhe të mos hyjnë në marrëveshje me pushtetin aktual.
Molliqaj ka thënë se qytetarët presin përgjigje për arsyen pse vendi ka shkuar në zgjedhje dhe çfarë do të ndodhë pas tyre.
“Dy pyetje presin përgjigje nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Janë jetike për këto zgjedhje: Pse shkuam në zgjedhje dhe çfarë do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve? Pa shpjegimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për këto dy pyetje, nuk mundet qytetari për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe çfarë ka për të ndodhur”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se refuzimi i deritanishëm për bashkëpunim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk ka qenë parimor, por i lidhur me pushtetin.
“Në leximin tonë, ka qenë i drejtë refuzimi për bashkëpunim me Kurtin sa i përket zgjedhjes së presidentit. Rrugës po kuptojmë që ky refuzim nuk ka qenë parimor, nuk ka qenë normativ, por ka qenë për pushtet. Tani pyetja e dytë është çfarë duan këto parti për të bërë pas zgjedhjeve që t’i kuptojmë a me i votua në zgjedhje”, ka thënë Molliqaj.



