PSD-ja shënon njëvjetorin e themelimit, Gorani e Pantina thonë se ishte vit i sfidave

08 maj 2019 | 13:02

Kosova vazhdon të ndodhet në një udhëkryq, e përcjellë me një vit të krizave qeveritare e i ngërçeve parlamentare.

Për më tepër, Kosova po përballet me dallime të mëdha sociale. Kështu është thënë në njëvjetorin e themelimit të Partisë Socialdemokrate )PSD), ku deputeti Dukagjin Gorani, ka theksuar se në kohën e ndasive sociale, PSD-ja është e angazhuar që të promovojë arsyeshmërinë në veprim dhe kreativitetin në mendim.

Sipas tij, kjo është një rrugë e gjatë për të gjithë, pasi vendi vazhdon që të jetë në një udhëkryq.

“Sot e shënojmë një vit prej se PSD-ja është themeluar si një subjekt. Për të gjithë ne ishte një vit i sfidave shoqërore, kolektive e sociale. Ishte një vit i krizave qeveritare dhe i ngërçeve parlamentare. Ishte vit i thellimeve të ndasive dhe i armiqësimeve grupore e ndërpartiake. Më shumë e më shpesh se kurrë me parë në këto 20 vjet, ky vit u përkufizua me mungesë të tolerancës politike, llogaridhënies institucionale dhe të arsyeshmerisë konstruktive politike”, ka thënë Gorani.

Ai ka deklaruar se shteti është pasqyrë e nivelit të vetëdijes për bashkëpunim, trajtim të barabartë e respekt për njëri – tjetrin.

Ndërsa, deputetja Shqipe Pantina, ka thënë se dy shembujt më të mirë të angazhimit të PSD-së janë dy komunat në të cilat qeverisë PSD-ja, në Prishtinë dhe Kamenicë.

Ajo ka thënë se PSD-ja ka promovuar edhe transparencën, duke bërë që komuna e Prishtinës të marrë 100 pikë për transparencën.

Ndër sukseset e PSD-së, Pantina ka renditur edhe hapjen e 17 degëve të këtij subjekti politik, për çka është shprehur se është vetëm fillimi.

Nesër, më 9 maj, duke filluar nga ora 18:30, PSD-ja përmes një eventi do të shënojë njëvjetorin e themelimit të saj. /KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kualifikimi i mrekullueshëm i Liverpoolit për në finalen e Ligës…