Pse disa kombe bëhen fuqi të mëdha e të tjerat jo?

12 prill 13:36

Rritja dramatike e Kinës gjatë dekadave të fundit, dhe rënia relative e Shteteve të Bashkuara, kanë sjellë krijimin e një industri të vërtetë analistësh që po përpiqen të shpjegojnë ciklin jetësor të fuqive të mëdha.

Në fakt në vitin 1989, pak kohë para se lulëzimi i Kinës të dukej i pashmangshëm – dhe afër kulmit të fuqisë amerikane – historiani Paul Kennedy e dha alarmin në librin e tij “Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha”. Në të, Kennedy paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të shkonin drejt rënies përfundimtare në rast se nuk ndalnin shpenzimet e jashtëzakonshme në fushën e mbrojtjes, dhe nuk investonin në aftësitë e brendshme, që mbështesin rritjen ekonomike.

Libri i tij zgjoi interesin e madh të lexuesve. Që nga viti 1989, një numër politologësh janë përpjekur të përditësojnë punën e Kennedy tani që Kina po rritet vërtet. Ata priren të përqendrohen tek agresiviteti në rritje i Pekinit dhe tek pasojat e mundshme për politikën e SHBA-së, në një botë ku ajo nuk është më fuqia e veçantë.

Një libër i ri nga Manjari Chatterjee Miller e Universitetit të Bostonit “Pse ngrihen kombet: Narrativa dhe rruga drejt fuqisë së madhe”, nuk i bashkohet direkt këtij debati të veçantë. Gjithsesi ajo përpiqet të sigurojë një shpjegim të ri se pse disa shtete që fitojnë atributet e nevojshme materiale bëhen fuqi të mëdha, ndërsa të tjerët, me gjithë fitimin e  aftësive të tilla, nuk e arrijnë dot këtë gjë.

Argumenti i saj qendror përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj teorisë dominuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare, realizmit, që vlerëson se fuqia materiale është përcaktuesi kryesor i pozitës së një shteti në rendin ndërkombëtar. Libri i saj nënvlerëson jo pak analizën e Kennedy-t, si dhe atë të atyre që kanë synuar të shkruajnë bazuar mbi veprën e tij themelore.

Narrativa e Miller i ka rrënjët tek një traditë tjetër intelektuale, e cila e vë theksin tek roli e ideve në formësimin e politikës ndërkombëtare. Për të bërë arsye, Miller krahason përvojat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Holandës, Japonisë, Indisë dhe Kinës.

Miller argumenton se edhe ndonëse të gjitha këtu shtetet që u bënë fuqi të mëdha, kishin strategji të mëdha dhe pasuri materiale që i dhanë mundësi të bëheshin të tilla, ato patën edhe një narrativë kombëtare që përmbushte 3 qëllime.

Së pari, ajo përshkruan se si narrativat e tyre u dhanë mundësinë shteteve që të pajtojnë aftësitë e tyre materiale në zgjerim me kufizimet që impononte rendi ndërkombëtar ekzistues. Gjithashtu ato i ndihmuan shtetet që të përballeshin me konceptet mbizotëruese të statusit të fuqisë së madhe, qofshin këto zotërimi i kolonive, armëve të shkatërrimit në masë apo diçka tjetër.

Së fundmi, shtetet në rritje ishin gjithashtu në gjendje që t`ia shpjegonin përfshirjen e tyre në rritje në rendin global si audiencave vendase ashtu edhe atyre ndërkombëtare. Për shembull, Miller përdor me kujdes burimet historike dhe bashkëkohore, që tregojnë narrativat që sollën dështimin e Holandës në shekujt XVIII-XIX 19 dhe Japonisë së pasluftës për të arritur statusin e fuqisë së madhe, pavarësisht pasurisë dhe prosperitetit të tyre.

Gjithsesi, dikush mund të mendojë se këto narrativa janë thjeshtëzuar më shumë sesa duhet, pasi shtetet patën zhvillimin dhe zgjerimin e tyre. Por siç e tregon historiani amerikan Thomas Metcalf në librin e tij “Ideologjitë e Rajave”, Britanikët përdorën një mori justifikimesh për të mbështetur sundimin e tyre në Indi.

Prandaj, është e mundur të argumentohet se narrativat që shoqëruan ngritjen e këtyre fuqive ishin vërtet të jashtëzakonshme. Në fund të fundit, ajo që kishte vërtet rëndësi ishte aftësia e këtyre shteteve për të shfrytëzuar disa aftësi materiale me synim ndërtimin e kapacitetit institucional në vend, si dhe për të pushtuar territoret e huaja dhe burimet e tyre të paçmueshme.

Nga ana tjetër, plaçkitja masive e atyre pasurive forcoi më tej aftësitë e tyre. Më tej, edhe dëshmitë e vetë Mille, të grumbulluara me kaq kujdes, i japin nganjëherë të drejtë argumenteve të saj. Për shembull, në diskutimin mbi dështimin e Holandës për të dalë si

një fuqi e madhe botërore, ajo i referohet një debati të hollësishëm se si intelektualët, administratorët kolonialë dhe diplomatët holandezë i drejtoheshin Holandës si një komb “etik”, çka do të thoshte që ajo të mos imitonte sjelljen e fuqive të tjera koloniale të kohës.

Megjithatë, ajo qasje nënvizoi gjithashtu kufizimet e gjeografisë së vendit në raport me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Duke kaluar në epokën moderne, kapitulli mbi Indinë është gjithashtu më pak bindës. Duke u ndalur tek roli i ideve në strategjinë e madhe të Indisë, Miller pretendon se nga qeveria në qeveri, vendi ka menduar mbi veten e tij në termat civilizues.

Për këtë arsye, ai nuk ka zhvilluar kurrë një narrativë vërtet tërheqëse për ta çuar veten drejt statusit të fuqisë së madhe. Në vend të kësaj, India është kënaqur të nxjerrë në pah etosin e saj civilizues, si një mënyrë për të “fjetur mbi dafinat e saj’.

Ajo sugjeron se edhe kur India fitoi aftësi më të mëdha ekonomike që nga vitet 1990, narrativa e saj mbeti e ndrojtur dhe e heshtur. Në masë të gjerë përshkrimi i saj mund të jetë i saktë. Por kjo nuk mund të jetë arsyeja kryesore për dështimin e saj për të krijuar një rrugë drejt statusit të fuqisë së madhe.

Siç e kemi treguar në librin që kemi shkruam unë dhe William R.Thompson, rritja ekonomike e Indisë nuk arriti të përkojë me një zgjerim shoqërues të kapacitetit të saj shtetëror. Aparati shtetëror indian mbetet ende, siç është shprehur ekonomisti i shquar suedez Gunnar Myrdal dekada më parë, ai i një “shteti të fuqisë së butë”.

Edhe treçerek shekulli pas pavarësisë, India nuk po arrin ende të ofrojë një sërë shërbimesh themelore për gjithë popullatën e saj, siç është kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Këto sëmundje të brendshme, mund të japin një shpjegim bindës mbi paaftësinë e Indisë për t’u ngritur në statusin e fuqisë së madhe.

Më në fund është analiza e Miller mbi Kinën. Kur ajo nisi një rrugë drejt rritjes së shpejtë ekonomike nën Deng Xiaoping, narrativa e saj mbeti mjaft e përmbajtur. Në fakt, siç tregon Miller, Deng e kishte këshilluar vendin e tij që të linte kohën të punonte për të, dhe të forconte në heshtje aftësitë e tij. Vetëm me shfaqjen dramatike të aftësive ekonomike dhe ushtarake të Pekinit, ka pasur një ndryshim të narratives kineze. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al – Nga Sumir Ganguly, Foreign Policy.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Maqedoninë e Veriut të hënën janë vaksinuar gazetarët dhe…