Pse kaq shumë zhurmë për një rast korruptiv?

28 maj 2025 | 11:41

Shkruan: Hajdin Abazi

Kosova është bërë njëmend sui generis. Askund në vendet demokratike nuk i dilet në mbrojtje një ministri që intervistohet për rast korrupsioni. As në Kosovë nuk ka ndodhur, jo kaq fuqishëm, sa po ndodh prej vitit 2021 kur LVV-ja erdhi në pushtet.
Në vend se t’i duartrokitet prokuroria për nismën, ajo linçohet – sigurisht kjo nuk do të ndodhte pre cilindo që është kritik ndaj Kurtit.
Ajo që ndodhi është se ministri në detyrë Peci u mor në pyetje për një rast të dyshuar për korrupsion.
Kur burgoset ndonjë ish-ushtar i UÇK-së kurrë nuk bëhet kaq zhurmë, po mjaftohen me ndonjë reagim nga MPJD dhe pason heshtje!
Kurse për një ministër në detyrë, vetë kryeministri në detyrë Kurti i del në mbrojtje duke e lavdëruar, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe shefja në detyrë e diplomacisë kosovare gjen motive politike, e kështu edhe shpura e tyre.
Nuk është për t’u befasuar, kur vetë kryeministri në detyrë tash e pesë muaj refuzon t’i përgjigjet prokurorit, duke treguar se nuk e njeh sistemin juridik të shtetit ku e ka postin më relevant.
Po përse ky reagim për një intervistim me dyshime për korrupsion, sa të mbushet mendja se bëhet fjalë për persekutim nga një drejtësi armike?
Arsyeja kryesore është se po frikësohen se hetuesia e prokuroria do të vazhdojnë edhe ndjekjen e rasteve të tjera korruptive, para së gjithash atë me energjetikën.
Po çfarë shteti është ai ku reagohet kaq ashpër nga figurat kyçe politike pse intervistohet sekush prej tyre për korrupsion, çfarë përveç asaj se kërkohet drejtësi alternative – ku i korruptuari i partisë sime ka imunitet pikërisht për këtë përkatësi.
Dhe çka është thelbësorja, ishte vetëm marrje në pyetje dhe Peci prezumohet i pafajshëm derisa nuk dënohet.
Të qenit pasardhës i heroit Isa Boletini, ose i cilitdo hero a figurë të shquar të kombit, nuk paraqet asnjë alibi juridike që shteti të mos ketë të drejtën ta hetojë nëse ka dyshime të bazuara për krim ekonomik.
Kështu, po i thonë organeve të drejtësisë – mos m’i prek njerëzit e mi, se ata janë të paprekshëm!
E kjo bëhet edhe më neveritëse kur një profesor shqiptar nga BE-ja, i cili do të ishte e pritshme të respektojë procedimin juridik që kur të ketë dyshime të bazuara të inicohet hetim – e ngrit zërin kundër organeve të drejtësisë!
Në sinkroni, prej kryeministrit në detyrë Kurti e deri të profilet fake në FB kanë të njëjtin akord: mos guxoni as të dyshoni se ne jemi të korruptuar, edhe nëse keni baza për dyshime!
Kaq frikë të kihet nga drejtësia, sa atë po duan ta ngulfasin!
Reagimeve të këtilla u gëzohen vetëm të involvuarit në korrupsion (e të tillët tasterat e secilës parti i kanë vetëm si maskim, sepse partitë i shohin si mekanizma përmes të cilëve i katrrisen shtetit për ta zhvatë në çdo mënyrë të mundshme), sepse ata ndjehen të mbrojtur dhe inkurajohen për të vazhduar.
Politikanët që duan njëmend të bëjnë një shtet të mirëfilltë juridik, nuk ndërhyjnë e nuk nxisin linçime, po e lënë drejtësinë të veprojë papengueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte në stadiumin ‘Tarczyński Arena’ në Wroclaw të Polonisë zhvillohet…