PSE PËRSËRI TË VONUAR NË DIPLOMACI?

08 shtator 2021 | 13:53

Shkruan: Hajdin Abazi

Qeveria përsëri u vonua në sjelljen diplomatike, duke i krijuar hapësirë Serbisë të agjitojë kundër Kosovës. Në prag të njëvjetorit të Marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Uashington, u publikua njoftimi se DASH i ka sugjeruar Kosovës dhe Serbisë vazhdimin e respektimit të Marrëveshjes, ndër të tjera edhe moratoriumin.
Qysh më 4 shtator 2021, Qeveria e Kosovës është dashur të deklarohet, për të shprehur akordancën me SHBA-të.
Por as presidentja e as kryeministri (ministrja e jashtme ka amnisti: ndodhet duke u shëruar në Gjermani nga Covid-19), dhe askush tjetër, nuk foli, thua se ishte fjala për ndonjë shtet tjetër e jo për Kosovën.
Serbia e shfrytëzoi këtë amulli diplomatike të Kosovës që të luajë të vullnetshmin ndaj Uashingtonit, ndonëse dihet se ajo ka nisur fushatën për çnjohje kohë më parë.
Ajo po trumbeton sikur Kosova ka bërë superpërgatitje, sa që duket sikur ajo po frikësohet. Madje vet Vuçiq, deklaroi se në Këshillin Evropian Serbia është e dobët kundër Kosovës, por e fuqishme në Interpol dhe Unesco.
E sekretari shtetëror në ministrinë e jashtme serbe, Nemanja Staroviq, deklaroi se Serbia është e angazhuar për respektimin e marrëveshjes së Uashingtonit dhe se nuk do të jetë e para që do të heq dorë nga moratoriumi!
Kështu, Serbia po krijon imazhin e një agresori diplomatik të Kosovës!
Dhe para botës po paraqitet si konstruktive, që i respekton marrëveshjet dhe është e gatshme për Uashingotnin.
E liderët e Kosovës, heshtin.
Me një heshtje te mistershme.
Kjo e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Shtoji kësaj që në këto rrethana shumica e ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa ambasador, pra diplomacia jonë është e dobësuar në kohën kur duhej të ishte e forcuar.
Kosova e pati një rast ideal, të cilin e humbi, të rikonfirmonte lojalitetin dhe bashkëveprimin me SHBA-të, lidhur me Marrëveshjen e 4 shtatorit.
Apo ndoshta ende nuk kanë pasur kohë ta lexojnë atë?!
Për këdo që i ndjek sadopak zhvillimet në glob është e qartë se aktualisht, erërat politike në botë nuk janë dhe aq në favor të Kosovës.
Për Kosovën është fat që i ka dyert e hapura për gjithçka në Uashington. Por ato dyer duhet hapur, me plane e gatishmëri.
Ajo që e kam mësuar që nga takimi me ambasadorin Rcihard Holbrooke 23 vjet më parë, është se vetëm kur liderët sinkronizohen me Uashingtonin, Kosova fiton.
Ndryshe, Kosovës i del keq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Disiplinor i FFK-së pasi ka analizuar procedurat disiplinore të…