Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?

03 gusht 2022 | 08:36

Nga: Mary Ann Sieghart / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala

A janë burrat dhjetë herë më të mirë në pikturë sesa gratë? Mund të mendoni kështu nëse e dëgjoni artistin gjerman Georg Baselitz, i cili në vitin 2015 i tha Guardian-it se “gratë nuk pikturojnë shumë mirë. Është fakt. Tregu nuk gënjen”.

Tregu mund të mos na mashtrojë qëllimisht, por sigurisht se ta jep përshtypjen se burrat artistë janë shumë më të mirë sesa gratë. Piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë – Salvator Mundi nga Leonardo da Vinci – arriti në 450 milionë dollarë, ndërsa rekordi botëror për një artiste grua, Georgia O’Keeffe, është vetëm 44.4 milionë dollarë, një e dhjeta e asaj shume.

Natyrisht, është ky një krahasim i padrejtë. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, gratë nuk u lejuan ta praktikonin artin në mënyrë të njëjtë si burrat, kështu që në mënyrë të pashmangshme ka më pak mjeshtre të vjetra sesa mjeshtër të vjetër. Por, edhe mes artistëve të gjallë, Jeff Koons e mban rekordin me 91 milionë dollarë, ndërsa rekordi nga gratë që mbahet nga Jenny Saville është vetëm 12.5 milionë dollarë.

Dhe, nëse vazhdojmë tutje, një pabarazi 10:1 ende vazhdon. Helen Gorrill, autorja e veprës Gratë nuk dinë të pikturojnë, ka studiuar çmimet e pesë mijë pikturave të shitura në të gjithë botën, dhe ajo zbuloi se për çdo një milion funte që një burrë artist fiton për punën e vet, një grua fiton vetëm 10 për qind të kësaj. “Është hendeku më tronditës i vlerës gjinore që kam hasur në çdo industri”, më tha ajo për dokumentarin Rillogaritja e artit në BBC Radio 4.

Është vërtetë tronditëse. Për disa kohë gratë kanë përbërë 70 për qind të studentëve në kolegjet e artit, të përzgjedhura me meritë, dhe bota e artit krenohet me vlerat e saj liberale dhe progresive. Megjithatë, kryeson me hendekun më të madh të pagesave që mund ta mendoj.

Gorrill hasi në një gjetje tjetër befasuese. Teksa vlera e një vepre të një burri rritet nëse atë ai e ka firmosur, vlera e një vepre e një gruaje bie nëse ajo e ka firmosur atë, sikur të jetë njollosur disi nga gjinia e saj. “Kjo është absolutisht tronditëse”, thotë ajo.

Le të kthehemi te cilësia. A mund të ndodhë që burrat janë thjesht artistë më të mirë? Profesoresha e Financave në Oksford, Renée Adams, vendosi ta vë idenë në sprovë. Ajo ua tregoi pjesëmarrësve pesë piktura nga burrat dhe pesë nga gratë dhe u kërkoi atyre ta identifikonin gjininë e artistit. Menduan drejt në 50 për qind të rasteve – jo më mirë sesa ta hidhnin një monedhë. Kjo është një dëshmi mjaft e mirë se arti i burrave nuk është i ndryshëm dhe, si rrjedhojë, nuk është më i mirë se arti i grave.

Më pas burrave të pasur që i vizitojnë galeritë – profilin klasik të një koleksionisti arti – ua shfaqi një mostër, një pikturë të krijuar nga inteligjenca artificiale, ndërsa në mënyrë të rastësishme caktoi emrin e një artisti burrë ose grua. Nëse koleksionistëve u thuhej se ishte pikturuar nga një burrë, ata thoshin se u pëlqente më shumë sesa nëse u thuhej se ishte pikturuar nga një grua. Siç thotë ajo: “I njëjti artist, e njëjta pikturë”.

Si arritëm këtu? Frances Morris, drejtoreshë në “Tate Modern” thotë: “Gratë artiste janë paguar shumë keq, sepse ka pasur një marrëveshje të pandërgjegjshme midis tregut, historisë së artit dhe institucioneve. Të gjithëve u mungon besimi, të gjithë kërkojnë konfirmim. Pra, ka pasur një lloj historie konfirmuese të cilën mund ta quani kanun. Dhe, natyrisht, konventa dhe historia u përshtatën nga patriarkalizmi”.

Mjafton të shikoni “Historinë e artit” nga EH Gombrich që ende është libri më i shitur i artit në botë, i propozuar kudo për studentët e artit. Ai e përmend vetëm një artiste grua në 688 faqet e librit. Ku është Artemisia Gentileschi? Apo Frida Kahlo? Apo O’Keeffe? Dhe, ju vetëm duhet t’i shikoni koleksionet e muzeut për të parë se sa meshkuj janë ende aty në mënyrë disproporcionale. Pasi një artist është blerë nga një muze, vlera e punës së tij rritet. E njëjta gjë ndodhë nëse i ofrohet një ekspozitë e përkohshme.

Ndërkohë, disa artiste gra janë larguar nga galeritë sapo kanë njoftuar se janë shtatzëna. Atyre u është thënë se njerëzit nuk do ta merrnin më seriozisht punën e tyre; se blerja e punës së tyre ishte shumë e rrezikshme, sepse ato nuk do të ishin aq të përkushtuar ndaj karrierës.

Pra, gratë artiste janë vërtetë kundër kësaj. Lajmi i mirë është se bota po fillon ngadalë të ndryshojë. Muzetë po përpiqen t’i ribalancojnë koleksionet e veta. Disa madje shesin art të burrave për të blerë më shumë art nga gratë. Shtëpitë e ankandeve tani po i nxisin gratë artiste dhe Bienalja e Venecias këtë vit u peshua mirë për praninë e grave.

Edhe koleksionistët e kanë vërejtur këtë. Edhe pse çmimet për punën e grave artiste po fillojnë nga një bazë shumë më e ulët, ato aktualisht po rriten 29 për qind më shpejt sesa për artin e burrave. Për investitorët e shkathët që duan ujdi dhe fitim më të lartë, kjo nuk do shumë mend.

Për më shumë, shumëçka nga ky art është i mrekullueshëm. Siç thotë Bellatrix Hubert nga galeria “David Zwirner” në Nju-Jork: “Nëse kërkoj artistët për të cilët tash jemi më të interesuar, ato janë kryesisht gratë që bëjnë art më të mirë. Ose, art që mendoj se është më interesant”.

Gratë nuk dinë pikturojnë? Broçkulla. Edhe tregu na e thotë këtë. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi të martën në…