Pse po prashitim në ujë?

26 maj 2023 | 17:19

Shkruan: Agron Hoti

Agron Hoti

Sikur Shqipëria e Kosova ta kishin pasur fuqinë e nevojshme, do të ishin çliruar e pavarësuar qysh moti, edhe atë pa ndihmën e askujt.

Por, meqë të rralla (e pothuaj asnjë) janë ato kombe në botë që ia kanë dalë të çlirohen e pavarësohen pa ndihmën e jashtme, atëherë edhe Shqipëria e Kosova s’përbëjnë fare përjashtim nga bota, ngase që të dyja u ndihmuan nga jashtë për t’u çliruar, pavarësuar dhe për të arritur në këtë liri e mirëqenie që kurrë në histori as për së afërmi s’i kishim.

E nëse është Perëndimi ai që ka ndihmuar çlirimin, pavarësimin e shtetndërtimin e Kosovës dhe nëse po ky Perëndim edhe sot e ruan me ushtri qenien e Kosovës, kurse politika aktuale e Kosovës ka 20 vite që aktivisht dhe me tërë qenien mbjell anti-perëndimizëm dhe anti-amerikanizëm duke e mosnjohur, poshtëruar e luftuar me të gjitha format shtetin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës si projekt i pastërt amerikan kundër Rusisë, atëherë ky moskoordinim i politikës sonë qorre me Perëndimin në veri të Kosovës flet më së miri për raportet e mjera që kjo politikë i ka sjellë në pikën më të ulët mes Kosovës dhe Perëndimit, me theks të veçantë me SHBA.

Të pretendosh se me zgjedhje komunale pa pjesëmarrje të serbëve lokalë por vetëm me shqiptarë do ta largosh Rusinë nga veriu i Kosovës është axhamillëk i rrezikshëm.

Në vend që kjo politikë në esencë antiamerikane së paku të mundohej siç për 20 vite premtoi t’i integronte serbët e veriut, kjo lëre që integrimit ia ka harruar edhe syretin, por ajo po bën tërësisht të kundërtën e asaj që kishte premtuar sa ishte në opozitë, ngase në kundërshtim të plotë me karakterin multietnik të shtetit tonë që vetëm si i tillë mezi u bë, po thellon çdo ditë e më shumë hendekun me serbë të veriut, derisa t’i detyrojë një ditë ata të marrin hapa të njëanshëm të vetëformimit jo të Zajednicës së djeshme, por të Samoupravnicës së sotme, me një fjalë të autonomisë në veri.

Përderisa pushtetet e kaluara në bashkëpunim të ngushtë me SHBA e BE po mundoheshin t’i integronin serbët në institucione të Kosovës, politika aktuale po bën tërësisht të kundërtën, pra po prishet çdo ditë e më shumë me SHBA e BE duke e thelluar kështu hendekun me serbë lokalë, thua ti se pushtetet e kaluara s’paskan ditur kështu si këta.

Sa më shumë që po e vonojmë zbatimin e Marrëveshjes me Serbi, aq më shumë me apo pa vetëdije po çojmë ujë në Serbi e Rusi. Serbisë e Rusisë i intereson vetëm refuzimi nga Kosova, sepse vetëm refuzimi jonë e nxjerr Kosovën jashtë loje duke e ekspozuar para Perëndimit si palë destruktive që është edhe qëllimi final i Serbisë dhe Rusisë për ta ruajtur me çdo kusht këtë gjendje të paqëndrueshme në Kosovë.

Ashtu siç Kosova përmes refuzimit të Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020 dhe iniciativës së Ballkanit të Hapur u ekspozua si refuzuese e integrimit rajonal, rrjedhimisht si refuzuese e Perëndimit, njëjtë po ekspozohet edhe sot me refuzimin e zbatimit të marrëveshjes me Serbi duke u munduar t’i dëshmojë sovranitet në veri të Kosovës SHBA-së e BE-së, duke harruar se po kjo SHBA e BE është qenësore për ruajtjen e sovranitetit, të cilin ne vetëgenjehemi se e ushtrojmë.

Po harrojmë që pa SHBA, Rusia nga shkurti 2022 kur sulmoi Ukrainën e deri me sot do ta kishte pushtuar dhe Poloninë për t’i mësyrë më pas Gjermanisë e Francës.

Nuk mbahet shteti me përralla të bukura veshi, sepse po të ishte ashtu qysh moti do ta kishim përzënë Serbinë. Shteti konsolidohet vetëm në koordinim të ngushtë me ata që të bënë njeri, pra me SHBA e BE, se pa këta të fundit e kemi provuar deri në vitin 1999 kur as era njeri s’na vinte për shkak të terrorit serb. Sikur sovraniteti të shtrihej në veri me zgjedhje e polici, këtë do të mund ta bënim qysh në 1999.

Por jo, veriu i Kosovës ka për t’u zgjidhur me dialog dhe vetëm dialog, siç është zgjidhur çështja e Maqedonisë së Veriut, çështja e Zajednicës së Komunave serbe në Kroaci ku serbët s’i pyet kush as për “borë të parvjeme”, çështja e Tirolit Jugor që fare s’e ka defunksionalizuar Italinë, çështja e minoritetit suedez në Finlandë që fare s’e ka defunksionalizuar Finlandën, çështja e minoritetit hungarez që fare s’e ka defunksionalizuar Rumaninë, Sllovakinë e Serbinë, çështja e minoritetit gjerman që fare s’e ka defunksionalizuar Rumaninë, çështja e minoritetit turk që fare s’e ka defunksionalizuar Bullgarinë, pastaj Belgjika holandezo-franceze që fare s’është defunksionalizuar, Zvicra gjermano, franceze e italiane që fare s’është defunksionalizuar, çështja e miliona arabëve që s’e kanë defunksionalizuar Francën, apo miliona turqve, rusëve, ukrainasve, polakëve, çekëve që fare s’e kanë defunksionalizuar Gjermaninë, miliona aziatikë që s’e kanë defunksionalizuar Britaninë e Madhe e sa e sa çështje të ngjashme të pafundshme në Evropë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit