Pulëbardha e Kosovës

25 janar 2021 | 14:57

NAMIK SELMANI

Monologu i një vëllai kushtuar Fatmira Hasanit që në moshën 16-vjeçare u vra nga pushtuesit serbë në vitin 1998 në Likoshan të Drenicës (Kosovë)

 

O, breeee, kurrë nuk u bë nuse motra ime Fatmira!

E tupanët për të

Nuk u dëgjuan në Likoshan apo në mbarë Kosovën,

Sot

Doja ta dëgjoja një djep me zëra djemsh e çikash.

E gazmendi

Të më ngrohte në udhët gjarpërore të botës.

 

E nëna

Ah, do ta prekte trupin e ftohtë të bacës

Mooos, o Zot!

Me lotët e kukamës

Do ta rrokte në arkëmort Fatmirën e shtrirë

E qielli,

Do të çahej nga dhimbja si pala e dallgës

E plisi i bardhë

Do të thinjej dhe më nga mungesa e rrezes me dritë

 

Dhe ishte pulëbardhë motra ime

Me sëmundjen që ia kalli jetën e re që në agim

Dhe ish dallëndyshe

Që çerdhen ia kallën gjer në fijen e kashtës një agim

Dhe ishte zanë Fatmira ime

Që kishte një gjerdan me ëndrra të bukura për vajzërinë

Dhe ishte lule

E patharë në Bahçen e Kujtesës gjer në amshim

 

E unë

Ende pres këngën e pakënduar në dasmën e munguar.

Në kuqëlimin e çative

Bie bora e shkrin sërish pranverave të Kosovës

Aty,

Aty doja ta shtrija trupin e ta puthja livadhin e bleruar

Aty,

Doja ta ndërroja duhanin me bacën në oxhakun e odës.

 

Malli për të më merr

E dritat e Evropës veniten klithshëm para kujtimit të zjarrtë.

Sa do doja

Aty te pragu i Likoshanit të ma fshinte ballin me djersitje

Të ma sillte çajin dhe kafen në gjerbimin e rrallë.

E bashkë

Të thurnin pa nda me Kosovën ëndrra të reja lirie.

 

E vranë kuçedrat

Me gjuhën e zjarrtë që kallte atë trup të njomë,

I duhej Kosovës

Ajo shtatlistë e bukur hyjnore

I duhej nënës

Si motër e vogël që ta priste te pragu i ngrohtë

I duhej diellit

Që të kthehej në rreze të re engjëllore.

Fluturoj qiejve austriakë

E eci mes maleve që më lënë ca copëza dheu nëpër hapa.

E gjuhët e globit

Po përcjell në drita e semaforë me harqe vetëtimash.

Si Arkitekt i Ëndrrës

Dua sytë e motrës të mos fshihen pas një shtëllunge të bardhë

Dua të jetoj

Me krenarinë dhe dhimbjen që më jep kahmot motra ime Fatmira

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Mbrojtjes ka filluar aksioni humanitar për dhurimin…