Punëtorët e Postës kërkojnë ndihmë nga Qeveria

06 prill 13:13

Punëtorët e Postës së Kosovës ende nuk i kanë marr pagat e tyre.  Arsim Mehmeti nga Posta nëpërmjet postës elektronike njofton se edhe pse sot është dita e gjashtë e prillit Posta nuk ka mundur që të ekzekutojë pagat për punonjësit e tyre.

Mehmeti njofton se gjendja e ndërmarrjes mbetet ende e rëndë. “Vonesat në kryerjen e obligimeve të pagave për punonjësit na kanë shqetësuar shumë, ndërkaq reagimet dhe kërkesat e sindikatave për ekzekutim të pagave i konsiderojmë të drejta”, thuhet në njoftim.

Mehmeti po ashtu jep edhe arsyet pse Posta  ndodhet në këtë gjendje “Ne kemi kërkuar me kohë mbulimin e humbjeve që kemi në Shërbimin Universal Postar përmes dhjetëra shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, që nga viti 2013 e deri me tani, por edhe pse është obligim ligjor mbulimi i këtij shërbimi i cili rrjedh nga Ligji mbi Shërbimet Postare dhe Marrëveshja e nënshkruar nga MZHE dhe Posta e Kosovës, e cila precizon qartë që kur Posta nuk mund të mbulojë shpenzimet e këtij shërbimi, Qeveria duhet ta mbulojë humbjen. Ne ende nuk kemi asnjë vendim pozitiv në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Sipas Mehmetit përmbaruesi privat por edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë dhënë qëndrimin e tyre që Qeveria është e obliguar t’i paguaj Postës 3,504,341.89 euro  përfshirë ne këtë vlerë kamatën dhe shpenzimet tjera deri në datën kur janë nxjerr vendimet (të bashkangjitur keni vendimin e përmbaruesit dhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë).

Faktor tjetër që po ndikon në vonesat e ekzekutimit të pagave të punonjësve, sipas Mehmetit është vonesa e Telekomit të Kosovës në kryerjen e obligimeve kontraktuale që ka me Postën e Kosovës. “Prandaj, edhe njëherë kërkojmë nga aksionari (Qeveria e Kosovës), që kërkesat tona t’i trajtojë me seriozitet dhe që nga java e ardhshme të organizohen takime intensive ndërmjet MZHE-së, Bordit të Drejtorëve,  Menaxhmentit të Ndërmarrjes si dhe sindikatave të punëtorëve, për tejkalimin e kësaj  gjendjeje të rëndë”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti tha më tutje se Posta e Kosovës do ta kalonte krizën shumë shpejt, po të kishte veprime konkrete nga ana e Qeverisë së Kosovës, e jo vetëm fjalë. “Është e pa pranueshme për ne që Aksionari shërbimet që i kryen çdo postë në Rajon nuk ia kalon ndërmarrjes së vet, pronës së vet, por vazhdon që këto shërbime t’ua ofroj operatorëve privat, me kosto shumë të lartë”, është thënë në njoftimin e Postës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bllokun e parë të garave e ka mbyllur xhudistja Fjolla…