Punëtorët shëndetësorë, të arsimit dhe të administratës është dashur të kushtëzohen me vaksinim

15 gusht 2021 | 20:45

Pulmologu Besim Morina e ka vlerësuar shumë shqetësues trendin e rritjes së infektimeve me Covid-19.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Morina ka thënë se shpejtësia e infektimeve për një kohë kaq të shkurtër tregon se institucionet duhet të përgatiten për një skenar të rrezikshëm të pandemisë.

Morina ka bërë me dije se vaksinimi është mënyra më e lehtë dhe më e sigurt e parandalimit të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjes nga Covid-i.

Ai ka theksuar se puna e punëtorëve në shëndetësi, arsim dhe në administratë është dashur të kushtëzohet me vaksinim.

“Epoka e re”: Z. Morina, ditët e fundit është rritur numri i infektimeve me Covid-19. Si e keni parë rritjen e këtyre rasteve?
Morina: Edhe pse ka qenë e pritur një valë e re pas paraqitjes së variantit të ri ‘Delta’ dhe numrit të ulët të të vaksinuarve në vendin tonë, numrat e të infektuarve në ditët e fundit dhe trendi i frikshëm në rritje janë tepër shqetësues. Ne ende nuk e dimë se kur do të ndalet ky trend, kur do ta mbërrijë kulmin e vet kjo valë por, nisur nga shpejtësia e infektimeve për një kohë kaq të shkurtër, duhet të përgatitemi për një skenar të rrezikshëm.

“Epoka e re”: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë me dije se pjesa dërrmuese e rasteve të fundit janë me variantin ‘Delta’. Çka dihet deri më tani për këtë variant?
Morina: Është shumë më infektues dhe më i rrezikshëm se varianti paraprak. Ky virus ka treguar që ka një aftësi për të ndryshuar dhe për të zhvilluar forma shumë më agresive. Ky është edhe shqetësimi i shkencëtarëve në botë, që mund të kemi edhe variante shumë më agresive që potencialisht të jenë rezistente ndaj vaksinave aktuale. Për fatin tonë të mirë, vaksinat ‘AstraZeneca’ dhe ‘Pfizer’ janë efektive në masën më të madhe ndaj variantit ‘Delta’.

“Epoka e re”: Ju për çdo ditë përballeni me njerëz që shtrihen në spital nga ky virus. Cila shtresë e qytetarëve tani po preket më shumë nga virusi?
Morina: Të moshuarit, ata me sëmundje kronike, ata me mbipeshë etj., mbeten më të rrezikuarit, të cilët pas infeksionit mund të zhvillojnë sëmundje të rëndë. Megjithëkëtë, për shkak të karakteristikave të variantit të ri si dhe për faktin që një pjesë e madhe e të vaksinuarve janë të moshuar, numri më i madh i të infektuarve janë të moshave të mesme dhe të rinj. Rrjedhimisht vala e fundit është përcjellë me më shumë pacientë të rinj në moshë të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore dhe shtrim në spital.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej rritjes së rasteve, hezitimi i qytetarëve për t’u vaksinuar po vazhdon. Si duhet të veprojnë institucionet politike dhe shëndetësore për t’i bindur qytetarët për t’u vaksinuar?
Morina: Po të kishim pasur numër më të madh të të vaksinuarve sot do të ishim në një situatë shumë më të mirë epidemiologjike. Ne për disa arsye jemi vonuar në këtë proces. Një ndër to ka qenë një hezitim dhe dyshim i popullatës për marrjen e vaksinës. Institucionet ndoshta është dashur të zhvillojnë fushatë më agresive, përfshirë marrjen e masave më aktive si, për shembull, kufizimin e aktiviteteve të lëvizjes për të pavaksinuarit, pastaj kushtëzimin e punëtorëve të shëndetësisë, të arsimit e të administratës që për t’u paraqitur në punë paraprakisht të jenë të vaksinuar.

“Epoka e re”: Ata që hezitojnë ta marrin vaksinën zakonisht përmendin frikën nga efektet anësore që mund t’i shkaktojë vaksina. Cili është mesazhi juaj për këta njerëz?
Morina: Gjithmonë do të ketë njerëz që kanë dyshime në vaksinë, edhe ndaj vaksinave kundër Covidit. Mirëpo të gjitha studimet kanë treguar që këto vaksina janë të sigurta dhe të padëmshme, me efekte të pakta anësore e komplikime shumë të rralla. Njëkohësisht duhet ta kemi parasysh që vaksinimi është mënyra më e lehtë dhe më e sigurt e parandalimit të sëmundjes dhe vdekjes nga Covid-19. Me mosvaksinim, përveç që e rrezikojmë veten, mund t’i dëmtojmë të tjerët me të cilët jemi në kontakt.

“Epoka e re”: Çfarë ndikimesh mund të ketë vaksinimi për parandalimin e përhapjes së pandemisë?
Morina: E vetmja mënyrë e fitimit të luftës ndaj këtij virusi është vaksinimi i të gjithë njerëzve jo vetëm me këto dy doza, por vaksinimi periodik edhe me doza të tjera përforcuese të imunitetit kundër Covidit. Kështu çdo vit apo periudhë disamujore ne do ta përforconim mbrojtjen kundër virusit.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tetë persona mbetën të vdekur dhe dhjetëra u plagosën kur…