Pushteti i kënaqur me hyrjen të fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë, opozita e shqetësuar: Do të rritet elektorati serb në Kosovë
Nga dita e djeshme, 22 maj 2026, ka hyr në fuqi Ligji i ri për Shtetësi. Pushteti i është gëzuar këtij fakti, ndërsa opozita e ka kritikuar këtë ligj.
Përfaqësuesit e partive kanë bërë me dije se ligji i cili është miratuar nga VV-ja dhe Lista Serbe është i dëmshëm për Kosovën. Sipas tyre, ky dokument ua mundëson shumë qytetarëve serb ta marrin lehtësisht shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Kandidatja për deputete e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë me dije ligji në fjalë mundëson rritjen e elektoratit serb në Kosovë.
“E kemi pasur ligjin për shtetësi. Këta janë njerëz që kanë votuar deri në vitin 1998; kush ka qenë banor atëherë, tash mund ta marrë shtetësinë. Nuk po besoj që po flasim për njerëz që punojnë për interesa kombëtare apo për flamur kosovar. Me Listën Serbe është votuar një ligj që e shton elektoratin serb në zgjedhjet e ardhshme, sepse ata dhe fëmijët e tyre e marrin automatikisht shtetësinë. A kemi luftuar për t’i shtuar serbët në Kosovë? Ditën që vijmë në pushtet, ai ligj nuk duhet të vazhdojë më tutje”, ka thënë Ymeri në “Edicionin Special” të Klan Kosovës.
Kritik ndaj këtij ligji ka qenë edhe kandidati tjetër për deputet i LDK-së, Besian Mustafa.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se për një grusht vota VV-ja po e shkatërron historinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Hyri sot ne fuqi ligji që LVV+LS miratuan që u mundëson pasardhësve të kolonizatorëve serb në Kosovë nënshtetësinë e Kosovës! Për një grusht vota e shkatërrojnë historinë dhe shtetësinë tonë!”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, pushteti i është gëzuar hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Përmes reagimeve të ndryshme ata kanë ftuar bashkatdhetarët që të marrin shtetësinë e Kosovës.
Ndër të paret që ka reaguar ka qenë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përmes një video-mesazhi drejtuar bashkatdhetarëve, Sveçla ka njoftuar bashkatdhetarët se Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës sjell proceduar më të shpejta, më të thjeshta dhe më moderne për aplikuesit.
“Një nga lehtësimet kryesore është rifitimi i shtetësisë për ju bashkatdhetarët, që për arsye objektive jeni detyruar të liroheni nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Nga 9 dokumente që kërkoheshin më parë, tani mjafton kërkesa e plotësuar nga ju si dhe dëshmia se nuk jeni të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jetoni”, ka thënë ai.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.
“Mirëmëngjesi me super lajmin që dje hyri në fuqi, Ligji i ri për shtetësi. Të dashur bashkëmërgimtarë, tashmë mund të aplikoni edhe online për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës përmes platformës e-Kosova, në linkun e mëposhtëm: https://ekosova.rks-gov.net/Service/12. Lehtësimet do jenë konkrete, nga 9 dokumente në 1 kërkesë. Nga 6 muaj pritje në 30 ditë, dhe e gjjthë kjo pa pagesë. Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz, familje, histori rikthimi dhe lidhje që nuk janë ndërprerë kurrë me Kosovën, pavarësisht sfidave e mundësive të tjera”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në Facebook.



