Pushteti i mallkimit!

23 nëntor 2022 | 12:43

Shkruan: Kimete Berisha 

Ministresha e jashtme ka shfaqur interesim që ta shoh ish ministrin e jashtëm të shkatërruar dhe të asgjësuar moralisht.

Ministresha nuk e ka nëmur ish ministrin për nevojat e saj personale, por i ka
ndjellur fatkeqësi ish kolegut të saj, për të mirën e Presidentes.

Kur të mallkuarin e gjen hataja – Presidentja çlirohet nga ofendimi.
…disponimi dhe mirëqenia e Presidentes varen nga shkatërrimi moral i ish ministrit.

Ministresha ia dha dënimin e Perendisë….dhe nuk dha shenja se mund ta rishqyrtojë mallkimin deri në një vendim tjetër.

Më së bukuri dukesh kur ‘fal’ (ose bën sikur fal).
Me asnjë çmim, njeriu i mençur nuk zbret poshtë, për ta goditur të poshtrin.

(Ka informacione nga orakulli i Delfit dhe nga bota okulte se kush mallkon mund të merret edhe me magji të zezë).

Mallkojnë vetëm ata që s’kanë gjë tjetër në dorë për t’u mbrojtur.
Nëma është shprehje e lashtë e pafuqisë, prandaj kryesisht gratë mallkojnë.

Kur ndjehesh i pafuqishëm, ia lë Zotit, që ta realizojë mallkimin, sipas kërkesës tënde.
Nuk e lë hakmarrjen që je sikushi – por hakmarrja lyp shumë angazhim, energji, koncentrim…prandaj e shfrytëzon Zotin si ushtar tëndin, më lehtë.
Kur burri nëmë – e heq edhe kapuçin – Mos Zot Allah, në aso raste bëhet nami, për shkak se burrat mallkojnë rrallë e hiç, se vet e realizojnë hakmarrjen, nuk e presin Zotin…

Mallkimi është jo vetëm shprehje e pafuqisë por edhe e primitivizmit.
Edhe nëse mallkon – bëje tinëz, pa dëshmitarë.
Me zemër mallko ti, knaqu – ama me fjalë uro.
Mos lë gjurmë arkaike.

Ama, sipas gojëdhënave – nuk t’zë nëma e atij që nuk t’ka dhënë gji.
Kështu që, më keq është të dukesh grua primitive sesa i mallkuar.

Ka dikush që e mallkon veten dhe ditën që lindi.
Mos provo Zot.

P.S. Ka mujt me ndodh edhe më keq, me nëmë me t’folmen e Pejës:
‘T’mBarroftë Zoti’.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora është padyshim një ndër këngëtaret më të dashura…