Putini shkarkon Prigozhinin, Rusia sulmon Odesën

15 qershor 2023 | 08:28

Rusia ka shtuar bombardimet ajrore në Ukrainë. Të paktën 3 persona u vranë dhe më shumë se 10 të tjerë mbetën të plagosur në qytetin jugor të Odesës. Raketat e ushtrisë së Moskës u kanë marrë jetën edhe 3 civilëve të tjerë në rajonin lindor të Donjeskut. Forcat ruse akuzohen gjithashtu edhe për vrasjen e 6 civilëve që po udhëtonin me një makinë në rajonin Sumy. Ushtria ukrainase thotë se në orët e fundit ka arritur që të shkatërrojë 12 nga 20 raketat dhe dronët e lëshuar nga pushtuesit. Presidenti Volodymyr Zelensky, thotë se në armatimet ruse ka komponentë përbërës të huaj, përfshirë dhe disa me prejardhje nga shtete partnere. Në daljen e fundit, presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se kundërofensiva e Kievit po dështon me ushtrinë që sipas tij po pëson humbje të mëdha. Megjithatë Ukraina pretendon se ka rimarrë kontrollin e mbi të paktën 90 kilometrave katrorë që prej nisjes së manovrave.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëron se nëse ushtria e Putinit do të fitojë, bota ku ne jetojmë do të bëhet më e rrezikshme. Si për ta mbështetur këtë shqetësim, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, njoftoi se do të mjaftonte një telefonatë e Putinit që ky i fundit të lëshonte armët bërthamore ruse, të cilat pritet të zhvendosen në territorin e vendit të tij gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë për krisje të mëdha brenda lidershipit në Moskë.

Presidenti Putin shfaqet në një video duke injoruar ministrin e tij të mbrojtjes, Sergej Shoigu. Megjithatë ka mbrojtur urdhërin e ushtrisë që të gjitha njësitë vullnetare që luftojnë në Ukrainë të firmosin një kontratë me shtetin rus. Një lëvizje që është lexuar gjerësisht si një shkarkim i kreut të grupit të mercenarëve Wagner, Yevgjeni Prigozhin. /A2CNN

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot seancë…