QASJE GJITHËPËRFSHIRËSE PËR KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT RAMADAN REXHEPIT

23 shkurt 2026 | 15:23

Bilall MALIQI

Për të shkruar për një shkrimtar me përmasa mbarëkombëtare, për ta lexuar mirë e mirë tërë krijimtarinë e tij letrare, dhe atë edhe në dorëshkrim, është një punë e madhe, punë që do kohë dhe durim të madh, por këtë kohë e durim e ka sfiduar me sukses shkrimtari Mexhid Mehmeti, i cili është marrë seriozisht me krijimtarinë e shkrimtarit të njohur, Ramadan Rexhepi, duke rrugëtuar kështu botim në botim, për t’i analizuar jo veç në vijën e trashë të shtjellimit, por duke u futur thellë në brendi të librave të tij prozaik, voluminoz dhe me përmbajtje interesante që zgjon kërshëri te lexuesit në përgjithësi.

Nga romani në roman

Shkrimtari Mexhid Mehmeti e njeh mirë biografinë dhe begruanden krijuese të shkrimtarit Ramadan Rexhepi, prandaj me një dashuri të madhe i ka hyrë këtij projekti për t’i dalur “hakut” këtij shkrimtari, i cili ndoshta për brezat e rinj është më pak i lexuar e i njohur, meqenëse shumica e librave të tij prozaik i mungojnë bibliotekave tona dhe për këtë autori i vlerësimeve të thella, Mexhid Mehmeti i ka lexuar kujdesshëm, i ka analizuar nga këndi i një kritiku serioz e me peshë dhe ato ua ka servuar lexuesve, për t’u njohur ata për botën krijuese të shkrimtarit që e ka marrë në shqyrtim, duke na afruar vlerësime ndryshe nga të tjerët, me një stil të veçantë të tij, si nga mënyra e shtjellimit, po ashtu edhe nga format e analizave të thukëta e në shumicën e rasteve ka bërë edhe vlerësime krahasimtare me shkrimtarë të tjerë, duke i nxjerrë krahasimet kuptimplote dhe tejet objektive dhe profesionale. Këto krahasime e bëjnë akoma më të njohur shkrimtarin, por edhe më të lexueshëm e më të kërkueshëm nga bota e lexuesve dhe e studiuesve, të cilët duan të merren me këtë shkrimtar mbarëkombëtar, njërin nga prozatorët më të mirë shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Malmo të Suedisë, por është shumë i lidhur me vendlindjen e tij, Preshevën, Kosovën e Shqipërinë.

Për ca libra të shkrimtarit Ramadan Rexhepi, kanë shkruar edhe kritik e vlerësues si: Prof. Dr. Nehas Sopaj, për romanin/ Udhëkryqi/, / Prof. Dr.Anton Nikë Berisha po ashtu për romanin/ Udhëkryqi/ dhe për librin / Kumbonaret/, Nexhat Rexha për librin/Kumbonaret/ e Bilall Maliqi, po ashtu për librin / Kambanaret/, por, për të shkruar për tërë krijimtarinë letrare të shkrimtarit, Rexhepi është marrë seriozisht shkrimtari Mexhid Mehmeti, i cili ka shkruar për këto libra të Ramadan Rexhepit:

/ Udhëkryqi/, / Ura e ëndrrave/, /Dilemat e Emrush Dokos/,/ Kambanaret/ /romanit /Lezetqendra e Sali Babës/, /Dy novela/, /Kalavecët (roman në dorëshkrim)/ Zonjusha Zhuli/ e August Strindbergut dhe përkthimi shqip i Ramadan Rexhepit, të cilat kapin një gamë të gjerë të leximit, shtjellimit dhe të studimit të këtyre librave.

Qasje gjithëpërfshirëse

 Mexhid Mehmeti, së lexuari të librave ka pasur parasysh që të japë vlerësime e cilësime korrekte me një origjinalitet dhe individualitet të theksuar, duke na ofruar së pari çfarë ka brenda librave, kuptimshmërinë, qasjen gjithpërfshirëse të përmbajtjeve të romaneve të Ramadan Rexhepit, në shumicën e rasteve edhe krahasimet me libra të autorëve të mëdhenj qoftë të botës shqiptare, por edhe nga ta ndërkombëtare, e me këtë e rangon bukur lart dhe atë me arsye të plotë shkrimtarin Rexhepi, sepse i tillë është ky shkrimtar, ashtu e ka parë syri kritik i autorit e që ata që e kanë lexuar dhe që do ta lexojnë do të binden me vlerësimet e Mexhidit për librat dhe krijimtarinë e gjithmbarshme të shkrimtarit Ramadan Rexhepi.

Qasje krahasimtare

 Përderisa për romanin /Udhëkryqi/ studiuesi i njohur Prof. Dr. Nehas Sopaj shkruan: “ Romani Udhëkryqi i Ramadan Rexhepit ka një strukturë narrative me një preokupim tematik shoqëror ku autori paralelisht i udhëheq dhe zhvillon dy temat e mëdha kryesore, temën e politikës së një kohe të errët dhe temën e dytë, fatin e zi të jetës së përditshme familjare shqiptare nën atë politikë, më saktë si gjenden dhe si e përballojnë atë katrahurë të kohës ata”.

Kurse studiuesi tjetër, prof. Anton Nikë Berisha shkruan: “Në “Udhëkryqi” ai përligji aftësinë dhe shkathtësinë e një rrëfimtari cilësor, gjë që vërehet sidomos në gjuhën poetike dhe në stilin që përdor, duke përftuar një botë sa të pasur aq dhe të mëvetësishme poetike, që nxit një komunikim të mirëfilltë”.

Ndërsa Mexhid Mehmeti, shkruan: Romani /Udhëkryqi/ i shkrimtarit të shquar preshevar Ramadan Rexhepi (1940), është një vepër me karakter të thellë historik dhe politik, që pasqyron dramën e shqiptarëve të trevës së Kosovës Lindore e më gjerë nën regjimet jugosllave, në një shoqëri të tensionuar mes nënshtrimit dhe rebelimit, asimilimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Titulli metaforik “Udhëkryqi” sugjeron ndarje ekzistenciale dhe kombëtare, një pozitë tragjike mes rrugëve të përndritura dhe të errëta të fatit kolektiv.

Autori paraqet një botë të copëtuar dhe të traumatizuar nga kolonializmi i brendshëm, ku shqiptarët trajtohen si “turq”, ku kombi shqiptar është i ndaluar të bashkohet, ku shpërnguljet, diskriminimi dhe padrejtësitë politike janë rend i ditës.

Brenda romaneve të tjera qoftë edhe ato satirike ka shkruar përcipazi studiuesi Anton N. Berisha, mendime të shkurtra, por pa hyrë në thellësi të veprave të Ramadan Rexhepit për të shkoqitur tema e ngjarje me rëndësi qoftë historike, qoftë shoqërore brenda librave të lexuar, e këto të gjitha i ka shqyrtuar bukur mirë shkrimtari Mexhid Mehmeti me një seriozitet të shtuar, ashtu siç e meriton shkrimtari Rexhepi.

Këto qasje e vlerësime krahasimtare janë si mjete thelbësore për ta caktuar vlerën përafruese, origjinalitetin, vendin e një vepre të lexuar në mozaikun e madh të letërsisë deri në hierarkinë e vlerave. Krahasimi nuk bëhet për ta ulur apo minimizuar përballë një vepre tjetër, por për të ndriçuar veçoritë që e bëjnë secilën prej tyre unike.

Përfundim

Shkrimtari Mexhid Mehmeti ka shkruar vlerësime për libra dhe autorë të ndryshëm, të cilat kapin një numër të konsiderueshëm të autorëve, por për t’u marrë kryekëput me krijimtarinë letrare të prozatorit më të njohur shqiptar, Ramadan Rexhepi, është i vetmi autor, i vetmi kritik që e ka shpupurish tërë krijimtarinë e botuar e të pa botuar (të dorëshkrimit) të shkrimtarit, Rexhepi.

Këto vështrime i kam lexuar në rrjete sociale, dhe janë ende të pa botuara në libër, duke i lexuar me kujdes, bëra këtë vështrim edhe pse autori do të gjurmojë sigurisht edhe diçka nga dorëshkrimet e autorit për të vazhduar kështu edhe me vlerësime të tjera.

Këto vlerësime të thukëta, profesionale, të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme e me shprehje të zgjedhura kritike, porosis autorin që t’i botojë në një libër të veçantë për krijimtarinë e gjithmbarshme letrare të shkrimtarit Ramadan Rexhepi dhe si të tilla do ta mbushin një boshllëk për këtë autor dhe për krijimtarinë e tij, prandaj për këtë vlenë të përshëndetet puna e vyeshme dhe e pakursyer e shkrimtarit dhe në këtë rast kritikut letrar, Mexhid Mehmeti për studimin e mirëfillt të krijimtarisë së këtij autori të veçantë, siç është Ramadan Rexhepi.

Preshevë, shkurt 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biletat për ndeshjen e dytë parakualifikuese të Kosovës për FIBA…