Shkëmbimi i territoreve sjell rrezikshmëri

04 gusht 2018 | 21:41

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka bërë me dije se është e nevojshme marrja e masave në aspektin e sigurisë meqë, siç thotë ai, situata është e ndërlikuar.

Ai ka mirëpritur rritjen e gatishmërisë së institucioneve të sigurisë në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qehaja u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për të parandaluar çfarëdo lloj autonomie për veriun që mund ta shpallin serbët në atë pjesë. Qehaja ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.

Ai ka pohuar se një ide e tillë është e rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe Kosova do të dilte humbëse në këtë aspekt pasi, sipas tij, veriu për Kosovën ka një rëndësi të posaçme.

“Epoka e re”: Z. Qehaja, të premten është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës ku është kërkuar rritja e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit për ditët në vijim. Pse po ndodh ky mobilizim i sigurisë?
Qehaja: Nuk kam informacione çfarë është duke ndodhur, por në bazë të disa deklaratave dhe lëvizjeve, mund të them se situata është mjaft e ndërlikuar. Këto gjëra i kam paraparë edhe në shkrimet e mia të mëhershme të cilat, për fat të keq, nuk kanë hasur në ndonjë ‘mirëkuptim’. Ndonëse jam njohës i shkëlqyeshëm i çështjeve ushtarake, policore dhe të sigurisë, askush nuk më ka konsultuar. Sidoqoftë, mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është e mirëseardhur meqë aty janë dhënë detyrat paraprake për rritjen e gatishmërisë vepruese të institucioneve të sigurisë. Fjala është për atë se në veri të Kosovës serbët janë përgatitur ta bëjnë njëfarë shpallje të pavarësisë apo të shkëputjes së tyre nga territori i Republikës së Kosovës. Mirëpo kjo nuk do të thotë asgjë, sepse në bazë të Kushtetutës së Kosovës askush nuk ka të drejtë ta bëjë një veprim të tillë. Edhe nëse bëhet ky veprim do të kishte me qenë baras me zero sa i përket zbatimit në praktikë. Do të thotë, nuk mund të zbatohet sepse Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë. Mirëpo mendoj se masat e sigurisë që janë ndërmarrë në këtë drejtim janë të nevojshme.

“Epoka e re”: Ka rrezik për destabilizim të situatës së sigurisë?
Qehaja: Ka rrezikshmëri sepse shpallja e një autonomie do ta përcillte një destabilizim apo përdorim të forcave dhe mjeteve në pjesën veriore të Kosovës dhe në një moment do të bëhet shkëputja apo aneksimi i territorit siç ka qenë principi i aneksimit të Krimesë, edhe pse Kosova me Krimenë nuk mund të krahasohet, por veprimet që mendohet të ndërmerren janë në këtë drejtim. Prandaj në situatën e tanishme duhet të lihen deklaratat boshe dhe të veprojmë konkretisht me ushtri, me polici dhe me institucione të tjera dhe ta ngrehim gatishmërinë luftarake deri në atë masë saqë të jemi të gatshëm të veprojmë. Kuptohet se për të vepruar në pjesën veriore të Kosovës është përgjegjës KFOR-i, përkatësisht NATO-ja. Njësitet e KFOR-it duhet të ballafaqohen që mos të lejojnë asnjë lloj ndërhyrje të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në atë pjesë të territorit tonë.

“Epoka e re”: Si duhet të veprojnë institucionet e Republikës karshi këtyre zhvillimeve?
Qehaja: Në rast se do të ketë shpallje të autonomisë të veriut nuk do të ketë jetësim të saj, sepse Kushtetua e Kosovës nuk e lejon. Megjithatë, efekti politik do të kishte me qenë mjaft i theksuar, prandaj duhet shpjeguar popullatës se kjo çon në destabilizim të vendit.

“Epoka e re”: Edhe Policia e Kosovës me një urdhër operativ ua ka ndërprerë shkuarjen në pushim pjesëtarëve të uniformuar. Është kjo një parapërgatitje për parandalimin e shkëputjes së veriut?
Qehaja: Kuptohet se po. Nuk mund të jemi indiferentë kur bëhet fjalë për rrezikimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Jemi dëshmitar se deri më tani jemi ballafaquar me situata të llojllojshme në veri por, sidoqoftë, para këtyre bisedimeve që do të pasonin, kjo situatë është mjaft e ndërlikuar dhe serbët janë të përgatitur ta shpallin autonominë. Secili qytetar duhet ta kryejë detyrën e vet me përkushtim dhe duhet ta japë kontributin në mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se faza finale e dialogut do të jetë e vështirë. Kjo deklaratë e tij nënkupton se shkëputja e veriut nga Kosova do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare të dialogut?
Qehaja: Negociatat në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë duke u zhvilluar që gjashtë apo shtatë vjet, por nuk kanë dhënë ndonjë efekt të madh, përveç kalimit të aty-këtushëm të qytetarëve të Kosovës në Serbi. Serbia nuk u është përmbajtur zotimeve, prandaj kemi edhe shumë probleme në këtë drejtim. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë. FSK-në nuk duhet ta lëmë anash sepse duhet të përgatitet për detyrat e veta të gatishmërisë emergjente ashtu siç i ka. Mendoj se është momenti i volitshëm që me një ligj të ngutshëm që ka të bëjë me kompetencat që mund t’i marrë në aspektin ushtarak, kjo forcë duhet të kalojë në Kuvend dhe t’i jepen detyrat që duhet t’i kryejë – edhe ushtarake në momentin aktual në lëvizje e sipër. Edhe pse nuk është e përgatitur në masë të duhur për këtë, FSK-ja është një këmbësori e nivelit bukur të lartë aktualisht.

“Epoka e re”: Mund ta parandaloj Kosova shpalljen e autonomisë së veriut?
Qehaja: Kosova duhet ta pamundësojë një gjë të tillë, por nëse veç ndodh autonomia, nuk duhet lejuar jetësimi i saj. Jetësimi i autonomisë bëhet me aneksimin e territorit dhe për të aneksuar atë pjesë të territorit duhet të veprohet me forca të sigurisë të Serbisë në territorin tonë dhe këtë ne nuk do ta lejojmë. Këtë nuk do ta lejojë as KFOR-i e as NATO-ja. Mirëpo sikur ne që jemi në gjendje ta mbrojmë territorin e Republikës së Kosovës askush nuk do të jetë në gjendje ta mbrojë. Në aspektin politiko-diplomatik duhet të veprohet menjëherë dhe nëse ka elemente të bollshme që tregojnë se është e mundshme shpallja e autonomisë të veriut atëherë në arenën ndërkombëtare duhet thënë se Serbia po e destabilizon situatën në Ballkanin Perëndimor. Në aspektin praktiko-profesional duhet të ndërmerren masat nga institucionet e sigurisë, që të jenë në gatishmëri për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit.

“Epoka e re”: Këto ditë opinioni publik është përballur me deklarata të shumta rreth mundësisë për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mund të kenë pasoja në aspektin e sigurisë?
Qehaja: Nuk jam për shkëmbim të territoreve sepse situata do të ishte shumë e rrezikshme në aspektin e sigurisë dhe do të ishim humbës. Veriu për Kosovën ka një rëndësi të posaçme. Diku 12 deri në 13 për qind e nëntokës së territorit është me xehe dhe ka infrastrukturë për përpunimin e tyre. Po ashtu, është territor i pasur me ujë. Rreth 75 e Ujmanit i takon Kosovës. Gjithashtu, në aspektin ushtarak ky territor ka rëndësi të posaçme sepse kanalizon drejtimet ku me forca dhe mjete shumë të vogla kemi mundësi t’i mbrojmë drejtimet e duhura në rast se do të depërtonin forcat të cilat do të përgatiteshin për një sulm në territorin tonë. Është një tërësi topografike e rëndësishme ushtarake që mundëson mbrojtje me forca dhe mjete të vogla të këmbësorisë, duke e organizuar sistemin e zjarrit dhe duke mos lejuar që forcat të depërtonin në brendi të territorit të Republikës së Kosovës. Prandaj nuk duhet lejuar që ky territor të dalë nga kompetenca jonë, sepse është i shtetit të Kosovës. Në anën tjetër, kur është fjala për Luginën e Preshevës, të jeni të bindur se Serbia nuk do të japë atë pjesë në asnjë mënyrë. Ata do të mund të na jepnin fshatrat rreth vijës kufitare, por jo territorin e tërësishëm që ka Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, sepse ky do të ishte hendikep i madh për Serbinë së cilës i mbyllet dalja në luginën e Vardarit. Shkëmbimi i territoreve do të sjellë rrezikshmëri në aspektin e sigurisë. Do të ngrehën tensionet dhe do të ketë lëvizje të popullatës. Kjo temë nuk duhet të trajtohet në atë mënyrë siç mendojnë disa politikanë se mund të trajtohet. Tërësia territoriale e Republikës së Kosovës është e pacenueshme dhe askush nuk guxon ta lëvizë asnjë pjesë të saj, sepse këtë nuk e lejon populli i Kosovës dhe gjaku i derdhur.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur aktori i njohur shqiptar, Sylejman Lokaj. Lajmin e…