Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” shënon 10-vjetorin e themelimit

03 dhjetor 2019 | 12:04

Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë ka shënuar ditën e shkollës dhe 10-vjetorin e hapjes së kësaj qendre shkollore.

Në ceremoninë e shënimit të kësaj dite, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përfaqësuesja e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, Jenny Stenberg Sorvold, përfaqësues të Agjensionit për Arsim Profesional, familja e dëshmorit të kombit, Kujtim Krasniqi, dhe mysafir të shumtë.

Fillimisht, zëvendësdrejtori i Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, Besart Shala, i ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe ka folur për historikun e kësaj qendre të kompetencës dhe rëndësinë e saj në këto dhjetë vite të funksionimit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka folur për përpjekjet e kësaj komune në ndërtimin e kësaj qendre dhe përkrahjen e pakursyer të shtetit norvegjez, të cilët edhe ishin donatorët për ndërtimin e saj.

Gjithashtu Begaj ka folur edhe për dëshmorin Kujtim Krasniqi, emrin e të cilit e mban kjo shkollë.

Kryetari Begaj ka kërkuar angazhim nga të gjithë për rritjen e cilësisë në arsim, duke theksuar se vetëm me një arsim të mirëfilltë do të mund të ecim si shtet.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Ambasadës norvegjeze, Jenny Stenberg Sorvold, pasi ka përshëndetur të gjithë të pranishmit ka folur edhe për qendrën e kompetencës “Kujtim Krasniqi”, të cilën e ka vlerësuar si prej qendrave më të mëdha, më moderne dhe më të mirat në rajon dhe me standarde evropiane.

Ajo ka thënë se rritja e cilësisë në arsim dhe edukimi, janë çelës i zhvillimit të shoqërisë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Bedri Islami Në çastin kur pashë kamionët e mëdhenj,…