Tërmeti, shteti dhe njerëzit

03 dhjetor 2019 | 11:56

Nga Bedri Islami

Në çastin kur pashë kamionët e mëdhenj, një vari pafund që sapo kishin ardhur nga Kosova dhe po parkonin në hapësirën e gjerë të fondacionit “Fundjava ndryshe”, në dalje të Tiranës, ku fillon rruga e ëndërruar e Arbërit dhe ku, për një rastësi, drejtuesi i fondacionit quhet Arbër Hajdari, kisha nga ato emocionet që të drithërojnë.

Makina të mëdha, në shumë nga të cilat ishte vendosur flamuri kombëtar, ecnin ngadalë dhe po vendoseshin në radhë për të nisur shkarkimi i tyre.

Disa javë më parë, rastësisht kisha qenë në qendrën e këtij fondacioni, dikur një mbeturinë reparti ushtarak, ku ende dukeshin disa godina të mbetura, si gërmadha të një kohe të shkuar dhe, bri tyre, ata që ishin restauruar dhe dukeshin si ndërtesa moderne komode, gjithë dritë, mes një gjelbërimi të habitshëm.

Më kishte bërë përshtypje gjallëria që vlonte aty, të rinj, shumë të rinj dhe të reja, të cilët lëviznin vrullshëm dhe ndjeheshin të preokupuar. Pata biseduar me shumë prej tyre, të shumtët vullnetarë, studentë, gjimnazistë, punëtorë dhe gjithçka, ende pa u ndjerë shenjat e tërmetit, më habiste me entuziazmin, besimin që shfaqnin, ëndrrat që kishin.

Ata ishin vërtet “Fundjava ndryshe”, por në të vërtetë donin një Shqipëri ndryshe.

Kur prisnim ardhjen e makinave të mëdha nga Kosova kisha kohën e duhur për të parë ndryshimet dhe punët që kishin nisur. Të habitshme.

E kisha pritur, ashtu si gjithë të tjerët, që shqiptarët e Kosovës dhe në trevat e tyre në Maqedoninë Veriore, do të vepronin kështu. E kam pritur se do të ngriheshin menjëherë, pa asnjë dekret, asnjë vendim qeveritar, asnjë urdhër. Natyrshëm dhe pa bujë.

12 mauna po parkonin njëra pas tjetrës. Secila nga 20 tonë ushqime. Rrugës ishin edhe 9 të tjera nga Tetova, Gostivari dhe Struga. Telefonët binin vazhdimisht. Pa ndërprerje. Lajmet vinin si zogjtë. Njëri pas tjetrit koordinatorët lajmëronin për makinat që do të niseshin, ndihmat që po grumbulloheshin. Magazina e madhe e “Fundjavës ndryshe” , si dukej, do të ishte e vogël, megjithëse jashtëzakonisht e madhe.

Deri pas mesnate sheshi ishte një fushë beteje për të mirën, për të nisur përballimin e asaj që sapo kishte ndodhur dhe që ende nuk dihej se kur do të mund të ndalonte.

Dhjetëra të rinj e të reja, përmes natës, tentonin të sillnin një pjesë të shpresës.

Rrallë herë kisha parë një ecuri të tillë dhe ajo që shihja , ashtu si po ndodhte, më kishte emocionuar si rrallëherë.

Të nesërmen, së bashku me një grup miqsh do të udhëtoja drejt Kosovës për të qenë pjesë e përurimit të tri Përmendoreve të mëdha të Heronjve të Luftës në Kosovë, Shaban Jasharit, Hamzë Jasharit dhe Adem Jasharit.

Gjithë rrugës shihnim vargje makinash të pafund nisur drejt Shqipërisë. Në telefonin tim kishin ardhur thirrjet e miqve të vjetër nga Kosova, të cilët ftonin cilëndo familje shqiptare të strehohej në banesat e tyre. Gazetari Adnan Asllani, ish-kryeredaktori i “Zërit të Kosovës”, Muhamet Mavraj, drejtuesi i “Epokës së re”, Luan A Xhemaili, shumë të tjerë. Luani, me babain e të cilit jemi miq të vjetër më shkruante se do të nisej për në Prishtinë dhe , jo vetëm do strehonte familjen që do të ishte atje, por do të bënte furnizimin e tyre ushqimor për gjithë kohën që do të rrinin.

Në Drenas, pjesa e parë e Drenicës, së bashku me akademik Moikom Zeqon, na ftuan të bëjmë zbulimin e Tri Përmendoreve, së bashku me personalitete të Kosovës, por, ajo që më kishte bërë të ndjeja veçanti të mrekulli të solidaritetit, e bënte gjithçka më të afërt.

Kishte nisur nga lëkundjet e tokës, përmbytjet, për të shkuar drejt një fondacioni – mrekulli rinore dhe për të arritur tek ky varg i pafund makinash dhe hapje dyersh si hapje zemrash. 25 vjeçari Arbër Hajdari, gjatë gjithë asaj nate, duke qëndruar në shirat që binin dhe shpresën se gjërat do të zgjidheshin.

Pastaj mendova: po shteti ku ishte në çastet e para?

Kishte rënë shteti apo kishte qenë i përgjumur?

Si është e munduri  thashë vetes, që kaq befas, apo jo kaq befas, shteti do të ishte i përgjumur, për të pasur një zgjim tjetër lloj?

A kishte pasur në Shqipëri një drejtori të emergjencave që po bënte të vetmen punë në çastet e para, përmes një thirrje “sillni ndihmat tek ne”, si shenjë që njerëzit po kishin më shumë besim tek fondacione si ky, se sa tek vetë shteti?

Më shfaqej shpesh herë pamja e drejtorit të emergjencave, atë çast që e pashë, më saktë, kapërdisur me një veshje të shtrenjtë, kur punonjësit e tij nuk kishin as doreza për të kapur gurët.

Çfarë kishte ndodhur me shtetin që dhuronte koncesione qindra milionë euro dhe nuk kishte në depot e tij as gjërat më të zakonshme, më të thjeshtat, që duheshin domosdo, të paktën pas sinjaleve të 21 shtatorit të këtij viti?

Nuk ishte zgjuar ende shteti nga ajo që kishte ndodhur dy muaj më parë? Një emergjencë civile e rënë do të thotë një ndihmë e parë e shuar.

Atë që shteti nuk e bëri në çastet e para, e bënë njerëzit.

Tani radha është e shtetit.

Komiteti Kombëtar i Rindërtimit është vetëm një strukturë.

Nëse aty qeveria do të vendosë të drejtojnë njerëz të korruptuar, figura që prej kohësh duheshin larguar nga politika e që vendin do e kishin tjetër kund, shumë gjëra do të jenë të dështuara. Besimi i njerëzve do të jetë i dështuar. Në krahët e shefit të qeverisë pashë figura idealistësh dhe përfituesish.

Cilët do të zgjedhë Edi Rama?

Idealistët apo përfituesit?

Ata, të cilët shquhen për ndershmëri dhe përkushtim apo të tjerët, emri i të cilëve është prej kohësh jashtë besimit njerëzor?

Sprova e qeverisë ka ardhur!

Ajo, ose do të rivendosë lidhjet me njerëzit që e besuan dhe duan ta besojnë, ose do të humbasë gjithçka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica po shkëlqen në fanellën e skuadrës gjermane Werder…