PO TA RIKTHEJË VJOSËN – LDK DO TA BËNTE NJË GABIM TË PARIPARUESHËM

16 prill 2026 | 16:55

Shkruan: Hajdin Abazi

Në zgjedhjet e fundit LDK shënoi rënien më të madhe në vota qyshkur ështe krijuar si parti. Kjo e tronditi dhe nisi të kërkonte perspektiva për ringritje, jo duke i ofruar të gjithë të larguarit e të përjashtuarit nga ajo pa dallim e me konsensus të gjerë për konsolidimin, mbase si gjasa e vetme reale. Në vend të kësaj, u nis me selektivitet. Befas ndodhi një kthesë: Vjosa Osmani-Sadriu nuk u zgjodh presidente. Këtu u hap një perspektivë, që në dështimin e saj të përfitonte LDK. Qysh kur u bë e qartë refuzimi i saj nga Kurti, nisi të flitej e përflitej, implicit e eksplicit, për kthimin e saj. Dhe sot  u pohua se LDK është e vullnetshme ta rikthejë atë, pas së cilës qëndron shpresa se do ta rikthejë një pjesë të elektoratit që e kishte humbur shkaku i saj.

Kthimi i Vjosës është i panatyrshëm në partinë në të cilën ishte ngritu politikisht jo vetëm se “suksesi” i saj qe bërë duke e goditur partinê ekskluzivisht për interesa të saja, sa që kur ia lypi puna – ia ktheu shpinën pa asnjë mëdyshje. Partia nuk i ndihmonte dot ta arrinte postin e presidentes ndaj dhe e braktisi; e braktisi jo për parime, po për përfitim ekskluzivisht personal.

Përveç se i goditi disa figura të LDK, të cilat ishin treguar të moderuara, më në fund edhe e përçau duke krijuar një parti më vete dhe kësisoj – e dobësoi si asnjëherë më parë. Me partinë e shkëputur nga LDK, iu bashkua LVV jo me një program për avancimin e Republikës, po ekskluzivisht për veten e vet.

Ndodhi ajo që ishte qasje e saj: u përça edhe me bashkëpunëtorët e vet të partise “Guxo” duke humbur çdo mbështetje politike. E në poste shtetërore nuk mundet të ngjitet sërish pa një mbështetje partiake. Për këtë oreks të pashuar, befas i ra ndërmend LDK-ja. Dhe vetëm sa nuk është bërë edhe pranimi zyrtar i saj.

Kthimi i Vjosës në LDK do të shënonte gabimin më të madh në historinë e kësaj partie. Të rehabilitohet një përçarëse partiake si ajo – është të rehabilitohet destruktiviteti politik dhe legjitimiteti i instrumentalizimit të partisë për një kastë profiterësh. Mbase mund të rritet paksa numri i votave, po absolutisht jo në përmasat e kalkuluara. Ajo nuk kthehet në LDK sepse ka dashuri për të; se po ta kishte një dashuri të tillë nuk do ta përçante e dobësonte atë ashtu sikurse bëri; do të sillej me dinjitet si ata që i larguan dhe që nuk bënë parti tjetër e as nuk ju bashkuan ndonjë partie tjetër, duke treguar se e donin njëmend LDK.

Kam bindjen se LDK do të kthehet në një instrument në funksion të interesave, egos dhe përfitimeve vetëm të saj, e që do të shndërrohet në një kancer politik që do ta fosilizojë LDK.

Nëse eventualisht LDK e ka me gjithë mend hapjen e saj si përpjekje për ta rijthyer elektoratin, ajo dujet t’ua hapë dyert të gjithë atyre që ishin dikur figura eminente të saj; një veprim i tillë mbase mund të jetë shpëtimi i LDK, sepse do të vendoseshin ekuilibrat brendapartiake. Po qe se do të bëhet vetëm kthimi i Vjosës, sado të bëhej me pompozitet, në të vërtetë do të ishte fillimi i metamorfozimit të LDK. Nga kjo do të humbte gjithsesi LDK-ja, porse edhe kualiteti i demokracisë në Kosovë, për të cilën dikur ajo parti kishte kontribuar përnjëmend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është caktuar një muaj paraburgim për katër të arrestuarit lidhur…