Një muaj paraburgim për katër të arrestuarit në rastin e rreth 18 kg heroinë në Ferizaj

16 prill 2026 | 16:54

Është caktuar një muaj paraburgim për katër të arrestuarit lidhur me rastin me rreth 18 kilogramë heroinë në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e kësaj mase në çështjen penale ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh.,  dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh. dhe M.Sh, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, është thënë në njoftim.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka thënë se ka vlerësuar që caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje është masë adekuate pasi që, siç thuhet në njoftim, ekziston rrezik real që të pandehurit t’i shmangen procedurës penale dhe të mos i përgjigjen organeve të drejtësisë.

“Gjykata konsideron se natyra e veprave penale për të cilat të pandehurit dyshohen, mënyra e organizuar e kryerjes së tyre, shtrirja ndërkufitare e aktivitetit të dyshuar kriminal, sasia e madhe e lëndës narkotike të sekuestruar dhe fakti se hetimet janë ende në zhvillim dhe përfshijnë analizimin e provave materiale, tregojnë se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e aftë të neutralizonte rreziqet konkrete që ekzistojnë në këtë fazë të procedurës”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Liverpoolit, Hugo Ekitike, ka pësuar një këputje të…