Qeriqi: Ndër shekuj kënga e popullit, kënga e Rifat Berishës

13 shkurt 2020 | 16:18

Kënga burimore shqiptare, kudo në krahinat ende të shkapërderdhura të Shqipërisë, ka ruajtur kujtesën historike të së  kaluarës, për rëniet e ngritjet e shqiptarëve  gjatë shekujve,  ka shënuar faktorin kohë, duke e ilustruar me ngjarjet e caktuara historike, me bëmat, kryengritjet popullore, pastaj rrëfimet e trashëguara nga brezi në brez dhe me këto,  ajo ka ruajtur dhe ka sjellë deri në ditët tona këngëtimin e lashtë homerik, formë e përcjelljes dhe ruajtjes së traditës të rrëfimtarisë popullore, e cila ka mbijetuar shekujt dhe ka restauruar  tërë koloritin e vet, duke radhitur ngjarje e ndodhi të  shekujve në parakalim. Kënga shqipe e lashtësisë, mjaft e pasur me elemente homerike përben një pjesë të shprehur të totalitetit të botës shpirtërore shqiptare, e cila ka arritur deri në ditët tona sidomos me këngën burimore, këngën e këngëve…

Rapsodët, eodët e dikurshëm të antikitetit, me memorien e tyre të pasur,  si askush tjetër kanë sjellë nëpër shekuj shembujt e bëmave për luftërat, trimëritë, sakrificat individuale e kolektive…. Janë të njohura disa motive mitike e legjendare të cilat kanë analogji me Homeriadën, por që në jashtësi  gjatë shekujve i ka vdjerrë koha me rastin e apostazës fetare, mirëpo në brendi kanë ngelur elementet qenësore arkaike, të cilat për mrekulli kanë arritur edhe kohën tonë.

Aktualisht ndër ne këndojnë një numër i madh i rapsodëve, të cilët kanë bërë emër, duke qenë se me kohë kanë krijuar stilin e tyre, disa nga ata kanë krijuar edhe “shkollat” e tyre. Lufta çlirimtare dhe fitimtare e trimave dhe trimëreshave të UÇK-së, përveç me lapidarë, shtatore e pllaka përkujtimore, me biografi e filma dokumentarë,  po përjetësohet edhe me këngë për bëmat dhe heroizmin e tyre. Në fonotekën e Radios-Kosova e Lirë gjenden rreth dy mijë këngë për dëshmorët, ndërsa rapsodi që ka kënduar dhe këndon më shumë për ta është këngëtari i mirënjohur i Dukagjinit, i mbarë Kosovës e më gjerë, Rifat Berisha, i cili ka kaluar gjysmë shekulli e më shumë duke kënduar dhe e  pasuruar aq shumë repertorin e këngëve të tij, deri në pakufi…

Rifat Berisha është rritur,  edukuar dhe frymëzuar me këngën e Dukagjinit, e cila nga shekulli në shekull ka bërë lidhjen gjenetike të shartimit të këngës dhe melosit  të Malësisë të Tropojës, Kukësit  e Bajram Currit, por edhe të Malësisë së Madhe, duke e njëzuar atë me këngën e Dukagjinit, e cila ka gjetur shtrirje deri thellë në Anadrin e  në Drenicë. Këngëtari i mirënjohur,  Rifat Berisha në repertorin e këngëve të tij ka kënduar dhe këndon këngë atdhetare, historike,  këngë të trimërisë,  këngë të shumta për trimat dhe trimëreshat e UÇK-s, këngë të dashurisë dhe këngë me motive të tjera, të preferuara për dëgjuesit.

Duke qenë i frymëzuar dhe i edukuar me muzikën e trevës ku jeton, ai ka pasur fatin e mirë se është rritur në një trevë, e cila ka dhënë rapsodë shumë të njohur të një konkurrence shumë të fortë si,  Dervish Shaqa, i cili ka ushtruar ndikimin më të madh te të gjithë rapsodët shqiptarë,  jo vetëm të kësaj ane, dhe jo vetëm të kohës së tij,  pastaj kënga e Lan Dobrës, Bajrush Dodës, Augustin Ukajt, Shaqë Avdisë,  Marash Krasniqit Nimon Mushkolajt e shumë të tjerëve nga brezi i ri, si …….

Me zërin e tij karakteristik, intonacionin reflektues, fuqinë dhe melodicitetin e timbrit të zërit burrëror, ai ka krijuar stilin e tij origjinal, duke sintetizuar shumëllojshmërinë e akordeve popullore, e cila është pasuruar nga brezi në brez, për të arritur deri në ditët tona me traditën e pastër muzikore, tipike shqiptare.

Rapsodi, Rifat Berisha, kur këndon solo, në duet apo në grup shquhet me karakteristikat tipike të këngës së Dukagjinit, duke i qëndruar besnik trashëgimisë folklorike të rajonit, si bazë elementare mbi të cilën ka krijuar stil dhe origjinalitet, pa ndier nevojë për të thyer barrierat e zonave apo provincave, meqë begatia dhe laramania folklorike e trevës së Dukagjinit është mjaft e pasur dhe e përhapur, në atë rajon dhe më gjerë. Vlerësoj se këngëtari, Rifat Berisha, ka vepruar  mirë në këtë drejtim, meqë në këngën e tij në rrafshin e këndimit të saj,  ka prezantuar dhe prezanton  një zonë shumë të pasur me këngë, ku konkurrenca ka qenë dhe po mbetet shumë e fortë, meqë në Dukagjin, përveç Rifat Berishës shquhen edhe një mori këngëtarësh të njohur, jo vetëm në atë trevë, por kudo në Kosovë e më gjerë.  Kështu kam shkruar shumë vjet më parë në një shkrim të shkurtë për Rifat Berishën Fatmir Bajrën dhe Rifat Dragën.

Prej asaj kohe e deri tani, Rifat Berisha e ka pasuruar edhe më tej repertorin e vet, e ka zgjeruar përmbajtjen e këngëve, ka manifestuar një qëndrim epik e lirik, duke i ndërthurur me elemente anësore, të cilat çdo këngë e bëjnë të veçantë në opusin e qindra këngëve të tjera.

Interpretimi muzikor i këngëve  është mjaft profesional, i  përcjellë dhe i përzgjedhur me instrumente përkatëse muzikore nga lahuta, deri te çiftelia, sharkia dhe orkestrina muzikore me të gjitha komponentet e tonalitetet, që përmbajtësojnë një stil dhe origjinalitet autentik, i cili i qëndron kohës.  Për më tepër ajo po bëhet shkollë e unifikimit të këngës të mirëfilltë shqiptare dhe po pasurohet me elementë të shumtë të shprehjeve artistike, gjithnjë duke mbajtur gjallë traditën dhe duke e integruar në totalitetin e saj rezistent, në kohën kur tallavaja,  muzika majmune dhe e  çoroditur  po bën përpjekje  ta eleminojë traditën.

Në këtë luftë, për dallim nga segmentet e tjera të arteve, ku vlerat janë jo vetëm të sfiduara por edhe të goditura skajshëm,  kënga popullore folklorike, kënga rapsodike shqiptare  që ka rrënjë nga epokat e lashtësisë, përngjet me një rrap shumëshekullor, të cilin e valëvit, era, e godet  furtuna e shtrëngata por nuk thyejnë dot, meqë krahas rrënjëve të thella,  ka rritur trupin,  i ka zgjeruar edhe degët, të cilat kanë zënë vendin përgjithmonë  në hapësirën muzikore të kombit.

Shkolla e këndimit e Rifat Berishës ka krijuar një brez të tërë të këngëtarëve, sidomos në Dukagjin, ku kënga e kësaj treve të Shqipërisë ka disa komponentë origjinalë, të cilët frekuentojnë edhe jashtë rajonit, duke ushtruar një ndikim të mirëfilltë dhe duke përshtresuar edhe më tej stilin e këndimit, me bashkëdyzim të elementeve muzikorë arkaikë e bashkëkohorë.

Pavarësisht se cila është përgatitja profesionale e këngëtarëve popullorë si rasti i Rifat Berishës, të cilin e kemi marrë për subjekt trajtimi në këtë vështrim, ai është këngëtar krijues, që alfën dhe omegën  e këngëve e ka ndier dhe e ka mësuar në odën shqiptare, atje ku krahas shpatës e hanxharit, më vonë kapaklijes, breshanës e arnautkës, është varur edhe lahuta, çiftelia, sharkia e vegla të tjera. Në ngrohtësinë e odës, në netët e gjata të dimrit, nën dritën e rrëshirës së pishës, apo flakërimës së zjarrit në oxhak, ka shpërthyer edhe kënga e përcjellë nga brezi në brez, duke i përballuar vështirësive të jetës dhe duke mos lejuar, që shpirti të zvetnohet e të liget.

Shqiptari ndër shekuj shokun më të afërt e më besnik e ka pasur këngën, duke e dëgjuar atë, duke e kënduar në vete dhe për vete. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, sepse jo të gjithë njerëzit dinë të këndojnë, edhe pse kënga është dhuntia që Hyji u ka dhënë njerëzve ashtu sikur edhe vajin. Nuk bën dot jeta e njeriut pa këngë e vaj. Madje nuk thuhet kot se kënga është vaji i burrit.

Kënga e Rifat Berishës dhe e shkollës së tij popullore rapsodike tashmë ka siguruar vendin meritor në panteonin e muzikës rapsodike e popullore shqiptare. Ajo do të begatohet edhe më tej me tema e përmbajtje dhe do të pasurohet me shumëllojshmëri këndimi e interpretimi dhe si e tillë do ta mbajë gjallë shpirtin e kombit, kulturën dhe traditën autentike, gjithnjë në hap me kohën, duke qëndruar si digë kundër zvetënimit e degradimit të këngës, në luftë të drejtë për të manifestuar shpirtin e lirë në atdheun e lirë, që pret ditë të mira drejt integrimi dhe bashkimit kombëtar.

Këngëtarët moshohen por zëri dhe dashuria për këngën nuk plaken, sepse kënga buron nga zemra dhe ajo kurrë nuk plaket, ajo  e sfidon kohën pasi në fillim ishte fjala e pas saj me fjalë ishte kënduar e këndohet  kënga.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku së…