Qeveri e unitetit kombëtar

10 janar 2020 | 12:44

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se dështimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë, duket se i bën të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se partitë tjera me gjasë nuk janë të gatshme për një formulë tjetër të koalicionit qeveritar.

Sipas Latifit, nuk është demokratike kur koalicioni postzgjedhor nuk e pasqyron rezultatin e zgjedhjeve.

“Por, edhe zgjedhjet e parakohshme nuk premtojnë të sjellin zgjidhjen e duhur. Gjasat më të mëdha janë që edhe pas tyre do të kemi situatë ngërçi të njëjtë, sikurse e kemi tani. Pra, rrezikojmë që edhe për një gjysmë viti tjetër të mos kemi qeveri që funksionon në kapacitet të plotë ekzekutiv. Qeveria teknike është një variant tjetër i humbjes së kohës. Mbase gjëja më e duhur është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, e cila brenda një viti do të përfundonte marrëveshjen me Serbinë, do të bënte reformën zgjedhore, si dhe ndryshimet kushtetuese për ta nxjerrë institucionin e presidentit nga negociatat partiake të ndarjes së pushtetit, duke e vendosur zgjedhjen e tij të drejtpërdrejtë nga populli”, ka shkruar ai.

Latifi ka theksuar se në këtë mënyrë shteti do të dilte nga bllokada e dyfishtë në të cilën ndodhet : nga bllokada në politikën e jashtme dhe bllokada në politikën e brendshme.

“Natyrisht, krejt kjo bëhet e mundur nëse politikanët e vendosin interesin shtetëror, para interesit të egove të tyre për pushtet”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Prishtina ka konfirmuar se është përforcuar me fundorin Jordan…