Qeveria britanike pas vizitës së Heappeyt: Kosova, partner i rëndësishëm

23 maj 2023 | 22:30

Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) do të vazhdojë së paku deri në vitin 2026, ka njoftuar ministri britanik për Forcat e Armatosura, James Heappey, gjatë vizitës së sotme në Prishtinë.

Heappey zhvilloi takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti, si dhe me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandantin e misionit të KFOR-it.

Qeveria britanike, përmes një njoftimi në faqen zyrtare, tha se me kënaqësi i njoftoi bashkëbiseduesit për përkushtimin e mëtejshëm të Mbretërisë së Bashkuar për KFOR-in.

“Zgjerimi i angazhimit tonë ndaj KFOR-it nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të mbështetur sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Heappey.

Sipas Qeverisë së Britanisë, Kosova është një partner i rëndësishëm dhe se Mbretëria e Bashkuar ka qenë një kontribuues kyç në forcën e NATO-s të mandatuar nga OKB që kur ajo hyri për herë të parë në Kosovë në vitin 1999 si një forcë paqeruajtëse për të sjellë paqe dhe stabilitet pas luftës.

“Qeveria e Kosova është një partner i rëndësishëm, me Mbretërinë e Bashkuar që ka qenë vendi i parë që ka njohur pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe forcat e Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë në rajon për më shumë se dy dekada”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Britanisë pas vizitës së Heappeyt në Kosovë.

KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa nga rreth 30 vende duke përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe ShBA-në, si dhe Britaninë e Madhe. Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar përfshin një Forcë Rezervë Strategjike të gatishmërisë së lartë me madhësi batalioni me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari, Valon Syla, ka ripërsëritur në Pressing të T7 se…