Qeveria e re do ta zbatojë skenarin amerikan

16 prill 2020 | 20:48

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se koalicioni i ri qeverisës të cilin do të mund ta formojë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me partnerët e saj, do ta zbatojë skenarin e aranzhuar amerikan.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky koalicion do të zgjasë derisa ta kryejë detyrën për të cilën është krijuar.

Beqaj ka deklaruar se detyra e këtij koalicioni do të jetë ratifikimi i marrëveshjes në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Koalicioni i tillë do të zgjasë derisa eventualisht do ta kryejë detyrën pse është krijuar. Ndërsa detyra kryesore është mbështetja dhe ratifikimi i marrëveshjes së përgatitur mes akterëve të lartpërmendur mes Kosovës dhe Serbisë që domosdoshmërisht përfshinë edhe elementin territorial. Nëse kjo nuk kryhet derisa zgjatë pandemia, atëherë pas pandemisë, këtë koalicion do ta detyrojë vullneti absolut i shumicës së qytetarëve të Kosovës të shkojë në harresë”, ka thënë Beqaj.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Beqaj sipas jush si është duke e menaxhuar pandeminë Covid-19 qeveria në detyrë?
Beqaj: Nuk jam kompetent për të dhënë vlerësim për menaxhimin e pandemisë, por vlerësimet e personave kompetentë të cilët po vlerësojnë menaxhimin e pandemisë shumë të suksesshëm, me duken reale. Çështje tjetër është shkalla e papërgjegjësia individuale që po gjenerojnë masovizimin e pandemisë.

“Epoka e re”: Vendimi i parë i qeverisë për kufizim të lëvizjes doli jokushtetues. Qeveria në detyrë nuk mori ndonjë veprim për ta respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese por nxori një vendim të ri duke kufizuar dhe më shumë lëvizjen e qytetarëve. Si i keni parë këto veprime të qeverisë?
Beqaj: Situatën e pandemisë të koronavirusit Covid-19 nuk e ka paraparë asnjë Kushtetutë në botë. Kushtetutat reflektojnë marrëdhëniet dhe gjendjen ekzistuese në shoqëri por realiteti është gjithnjë shumë më kompleks. Edhe Kushtetuta e Kosovës nuk ka zgjidhje adekuate për emergjenca humane të këtij lloji. Prandaj, masat që po ndërmerren me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit duhet të përfshihen në ndryshimin e Kushtetutës në të ardhmen. Deri sa të ndodhin ndryshimet e nevojshme në të ardhmen, është korrekte pse Gjykata Kushtetuese këto masa i vlerësoi si jokushtetuese, sikurse që veprimet e Qeverisë i konsiderojë se janë konform emergjencës aktuale, dhe si të tilla, janë të kuptueshme.

“Epoka e re”: Pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, presidenti i vendit disa herë ka kërkuar nga LV-ja emrin e ri të kandidatit për kryeministër. Kjo parti ende nuk i është përgjigjur presidentit duke kërkuar zgjedhje të reja. Cila është alternativa për të dalë nga kjo situatë?
Beqaj: Qëllimi i mocionit të mosbesimit është pasojë e realizimit të skenarit të aranzhuar që nënkupton formimin e Qeverisë e cila ka shprehur gatishmërinë paraprake se do ta zbatojë skenarin e aranzhuar amerikan. Përndryshe, nuk do të shkarkohej Qeveria Kurti. Prandaj, konsideroj se nuk është reale të kërkohet ndonjë alternativë, pos nëse shtetet e Quntit ose Gjermania, Britania, Franca, Italia… nuk dalin ndërkohë me një “porosi” publike para së të krijohet Qeveria e ardhshme për pasojat e mundshme nëse ajo bëhet ekzekutuese e kërkesave të administratës Tramp, Aleksander Vuçiqit, Hashim Thaçit dhe Rusisë, e cila dinakërisht nuk po reagon ndaj këtij skenari, ngase asaj i konvenon për planet e saja ogurzeza në Ballkan por edhe në raport me gjendjen në të cilën aktualisht është vet.

“Epoka e re”: Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka marrë aprovimin e Këshillit të Përgjithshëm për një koalicion të mundshëm me AAK-në dhe Nismën. A është i mundshëm një skenar i tillë, nëse LV-ja nuk e merr mandatin?
Beqaj: Pra, siç thash, LDK-ja, me partnerët e ardhshëm të “shtetit të kapur” e ka marrë detyrimin se do të zbatojë kërkesat e administratës Tramp pa e analizuar situatën reale dhe pa i paraparë pasojat e këtij veprimi në të ardhmen. Ajo nuk dëshiron të kuptojë se shumica sovranit injorant me mbështetjen e mocionit e ka transformuar vullnetin autentik të shumicës që votojë për ndryshim! Pikërisht për këtë, konsideroj se ajo është nisë në rrugë pa kthim. Do të bëjnë atë që po mendojnë se dinë, por s’po dinë se çfarë po bëjnë!

“Epoka e re”: Nëse bëhet ky koalicion, sa kohë duhet të zgjasë ai dhe cilat duhet të jenë objektivat e asaj qeveria?
Beqaj: Koalicioni i tillë do të zgjasë derisa eventualisht do ta kryejë detyrën pse është krijuar. Ndërsa detyra kryesore është mbështetja dhe ratifikimi i marrëveshjes së përgatitur mes akterëve të lartpërmendur mes Kosovës dhe Serbisë që domosdoshmërisht përfshinë edhe elementin territorial. Nëse kjo nuk kryhet derisa zgjatë pandemia, atëherë pas pandemisë, këtë koalicion do të detyroj vullneti absolut i shumicës së qytetarëve të Kosovës të shkojë në harresë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrojti Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH)…