Qeveria Hoti është e hutuar

24 gusht 2020 | 11:02

Analisti politik Faton Abdullahu e ka kritikuar qeverinë Hoti për mosunitet brenda koalicionit qeverisës.

Ai ka thënë se përgjegjësia më e madhe për mospasjen e unitetit në këtë koalicion  i bie LDK-së si parti që ka marrë më së shumti përgjegjësi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Abdullahu ka thënë se LDK-ja ka edhe ambicie të tjera që nuk mund të përmbushen vetëm përbrenda këtij koalicioni. “Ajo mendon dhe punon edhe për dimensione të tjera pushtetare të cilat nuk janë krejt përbrenda kësaj qeverie. E para që është e interesuar të mos vazhdohet kështu si është kjo qeveri është LDK-ja, sado që për këtë po mundohet t’i vë fajin sidomos AAK-së dhe kjo po i shkon për dore. LDK-ja vazhdon hezitimin ta prezantojë si maturi politike e në të vërtetë kjo është vonesë dhe pengesë për do gjë. Prandaj qeveria Hoti më shumë se çfarëdo tjetër është qeveri e hutuar”, ka thënë ai.

Abdullahu ka bërë me dije se LDK-ja para AAK-së e ka kërkuar postin e presidentit. Sipas tij, për këtë gjë LDK-ja ka kohë që punon. “LDK-ja e do më shumë se cilado parti tjetër postin e presidentit. ka kohë që kalkulohet kjo pozitë dhe për këtë punohet. Këtë nuk është e lehtë për ta kuptuar sepse për dallim nga AAK-ja, këtë LDK-ja e kamuflon me prirjen prej një tuxharllëku që hesapet i bën, por ato nuk ia tregon askujt. Është marrëzi jo vetëm politike kur e mendon se sa energji po shpenzohet për këtë post, sa përçarje po ndillet për diçka që, megjithatë, nuk dihet se a fillon e si do të përfundojë”, është shprehur ai, duke shtuar se ky koalicion qeverisës po hyn në gjynah me qytetarin.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, ku e ka kritikuar spektrin politik për mosunitet rreth kësaj çështje.

Abdullahu ka deklaruar se sa më të përçarë aq më shumë do të zvogëlohen mundësitë e Kosovës që të përfitojë ndonjë gjë nga dialogu me Serbinë. “Po vazhdojmë të mos jemi unikë si në këtë qeveri, si në atë para kësaj, edhe përkundër faktit se po bindemi pandalshëm sa agresive, por edhe e bashkuar është Serbia kundër nesh. Sa më të përçarë aq më shumë do të zvogëlohen mundësitë që të përfitojmë ndonjë gjë nga dialogu me Serbinë. E pakuptueshme prej nga kjo prirje noshalante për të mos u bërë bashkë së paku në përballje me Serbinë. Të përçarëve nuk u ndihmon as zoti e as Amerika”, ka deklaruar Abdullahu.

 “Epoka e re”: Z. Abdullahu, sot (e hënë) liderët e partive politike të koalicionit takohen për t’i diskutuar disa çështje për të cilat partnerët kanë shprehur mospajtime prej kohësh. Si pritni të shkojë ky takim?
Abdullahu: Po vazhdojmë të mos jemi unikë si në këtë qeveri, si në atë para kësaj edhe përkundër faktit se po bindemi pandalshëm sa agresive, por edhe e bashkuar është Serbia kundër nesh. Sa më të përçarë aq më shumë do të zvogëlohen mundësitë që të përfitojmë ndonjë gjë nga dialogu me Serbinë. E pakuptueshme prej nga kjo prirje noshalante për të mos u bërë bashkë së paku në përballje me Serbinë. Të përçarëve nuk u ndihmon as zoti e as Amerika. Shqiptarëve u është rikthyer një e metë e vjetër ku, inati po u bëhet më i madh se arsyeja e ky inat u vjen si duket nga grykësia për të shnukur sa më shumë pushtet. Nuk shpresoj shumë se kjo do të tejkalohet lehtë ndërmjet partnerëve të koalicionit aktual.

“Epoka e re”: Si i keni parë mospajtimet e deritashme të AAK-së me LDK-në për dialogun me Serbinë dhe disa çështje të tjera?
Abdullahu: Përgjegjësia më e madhe për mospasjen e unitetit në këtë koalicion i bie atij që ka marrë më së shumti përgjegjësi, pra LDK-së. LDK-ja, si duket, ka edhe ambicie të tjera që nuk mund të përmbushen vetëm përbrenda këtij koalicioni. Ajo mendon dhe punon edhe për dimensione të tjera pushtetare të cilat nuk janë krejt përbrenda kësaj qeverie. E para që është e interesuar të mos vazhdohet kështu si është kjo qeveri është LDK-ja, sado që për këtë po mundohet t’ia vë fajin sidomos AAK-së dhe kjo po i shkon për dore. LDK-ja vazhdon hezitimin e saj ta prezantojë si maturi politike e në të vërtetë kjo është vonesë dhe pengesë për do gjë. Prandaj qeveria Hoti, më shumë se çfarëdo tjetër, është qeveri e hutuar.

“Epoka e re”: Pas AAK-së, edhe LDK-ja ka shprehur dëshirën për postin e presidentit. A mund ta prishë koalicionin qeverisës ky post?
Abdullahu: Unë mendoj se para AAK-së këtë interesim, pra për ta pasur presidentin, e ka shprehur edhe LDK-ja. LDK-ja e do më shumë se cilado parti tjetër postin e presidenti. Ka kohë që kalkulohet kjo pozitë dhe për këtë punohet. Këtë nuk është e lehtë për ta kuptuar sepse, për dallim nga AAK-ja, këtë LDK-ja e kamuflon me prirjen prej një tuxharllëku që hesapet i bën, por ato nuk ia tregon askujt. Është marrëzi jo vetëm politike kur e mendon se sa energji po shpenzohet për këtë post, sa përçarje po ndillet për diçka që, megjithatë, nuk dihet se a fillon e si do të përfundojë dhe krejt këtë në kohë pandemie. Hile e madhe ndaj qytetarit. Ky koalicion po hyn në gjynah me qytetarin.

 “Epoka e re”: Në anën tjetër, as PDK-ja si parti opozitare nuk i ka fshehur ambiciet për këtë post. Pritni që partitë ta gjejnë një kompromis për këtë çështje, apo kjo do ta çojë vendin në zgjedhje të reja?
Abdullahu: PDK-ja është në opozitë dhe asaj kjo gjendje është duke i bërë mirë në shumë drejtime. Ajo ka pranuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor vitin e kaluar dhe ka bërë mirë. Për këtë, guximi dhe pranimi i një realiteti të ri, si premisë për ndryshime, duhet t’i faturohet kryetarit Veseli. Edhe sikur PDK-ja të mos bëjë asgjë, ajo, nga gabimet që po i bën qeveria Hoti dhe nga qasja përjashtuese dhe regresive që nuk po e ndryshon LV-ja, jo vetëm tërthorazi, asaj po i faturohen pikë pozitive. Këtë e kanë hetuar të gjithë, dhe të gjithë kohën e fundit janë të interesuar që të mos e lënë PDK-në në këtë pozitë opozitare. Më së shumti në këtë rast shquhen LDK-ja dhe LV-ja.

 “Epoka e re”: Ka mbetur pak kohë që nga takimi i Kosovës me Serbinë në Uashington. A është e gatshme Kosova për këtë takim dhe çfarë pritni nga ky takim?
Abdullahu: Është mirë që Kosova u rikthye në agjendën e Uashingtonit zyrtar nga e cila e largoi qeveria Kurti me paragjykimet e saj plot paranojë politike. Në Uashington po rifillon diçka që do të jetë një proces i cili nuk mund të përfundojë shpejt. Më 4 shtator në Uashington do të vihen në vija të trasha synimet dhe qëllimet e një projekti ekonomik i cili nuk mund të jetë vetëm ekonomik por, në një të ardhme të afërt, do të marrë edhe dimensionin politik. Shpresoj shumë se ato që i mungojnë qeverisë Hoti, e ato janë mangësi të shumta, do të kompensohen nga ndihma dhe përkujdesja e partnerit tonë, në këtë rast Uashingtonit zyrtar.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Salajdin Salihu   i ndez cigaret rend si Zhak Preveri…