Qeveria Hoti përballë “cunamit”

05 gusht 2020 | 11:31

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka deklaruar se qeveria Hoti gjendet përballë një cunami shkatërrues multidimensional. Ai ka thënë se kur merren parasysh rrethanat e dialogut me Serbinë dhe problemet e mëdha që po i sjell pandemia, pozita e kësaj qeverie është e pashpresë. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se është e vështirë të bëhet një vlerësim objektiv i punës së deritashme të qeverisë Hoti. “Kur i shtohen kësaj edhe kriza me pandeminë, që në ndërkohë u bë galopante, nga njëra anë, si dhe kërcënimi serioz i kolapsit ekonomik të vendit, nga ana tjetër, duket sikur pozita e qeverisë Hoti është e pashpresë, që qëndron si një digë e papërfillshme përballë cunamit shkatërrues multidimensional”, ka thënë Maliqi.

Ai ka vlerësuar se nga ky cunami nuk do të mund të shpëtojnë as kritikuesit e kësaj qeverie.

Maliqi ka deklaruar se spektri politik do të duhet të unifikohet për t’i përballur sfidat me të cilat po përballet Kosova. “Në këtë vështrim, e tërë balta e kritikave mund t’i hidhet Avdullah Hotit, por në të vërtetë cunami në fjalë do t’i godasë të gjithë pjesëmarrësit e historisë dhe histerisë që po i përjetojmë në muajt dhe vitet e fundit. Mjerimin e kësaj situate e shohim në sjelljen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të partive politike që nuk po mund t’i tejkalojnë interesat partikualare, hatërmbetjet,  inatet etj. çka pamundëson mobilizimin e domosdoshëm të të gjithëve në mbrojtjen nga rreziqet që na kanosin”, ka deklaruar ai. Sipas Maliqit, në këtë situatë lideri i LV-së, Albin Kurti, po luan me një kartë të rrezikshme. “Askush nuk po më duket i sinqertë në deklaratat dhe performancat. Për më shumë, edhe rreshtimet janë të çuditshme, me paranteza. Nëse e shkoni mirë, edhe koalicioni i brishtë qeveritar, edhe opozita po veprojnë si me mekanizma të kontrollit të marionetave”, ka deklaruar Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë Hoti?
Maliqi: Është i vështirë vlerësimi objektiv i punës së qeverisë Hoti jo vetëm pse është në fillimet (zakonisht qeverive i jepet afat i arsyeshëm që t’i tregojnë aftësitë dhe performancën e tyre), e në këtë rast duhet të kihen parasysh edhe rrethanat e jashtme relevante për vlerësim, që kanë qenë shkaktare të krijimit me nguti të saj, por që tani edhe ato rrethana shihen me skepticizëm. E kam fjalën, p. sh., për motivin kryesor të ngutisë, nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si prioritet i administratës amerikane, që edhe çoi në largimin e qeverisë Kurti, e që tani, kur qeveria Hoti korrigjoi lëshimin dhe e hapi dialogun, jemi dëshmitarë se momentumi premtues i tij duket i ikur dhe se jemi kthyer në binaret që ky dialogu pat mbetur i bllokuar më parë. Kur i shtohet kësaj edhe kriza me pandeminë, që në ndërkohë u bë galopante, nga njëra anë, si dhe kërcënimi serioz i kolapsit ekonomik të vendit, nga ana tjetër, duket sikur pozita e qeverisë Hoti është e pashpresë, që qëndron si një digë e papërfillshme përballë cunamit shkatërrues multidimensional.  Në këtë vështrim, e tërë balta e kritikave mund t’i hidhet Avdullah Hotit por, në të vërtetë, cunami në fjalë do t’i godasë të gjithë pjesëmarrësit e historisë dhe histerisë që po i përjetojmë në muajt dhe vitet e fundit. Mjerimin e kësaj situate e shohim në sjelljen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të partive politike që nuk po mund t’i tejkalojnë interesat partikulare, hatërmbetjet,  inatet etj. çka pamundëson mobilizimin e domosdoshëm të të gjithëve në mbrojtjen nga rreziqet që na kanosin. Kryeministri Hoti edhe kur përpiqet s’po arrin t’i bashkojë forcat, e as të tjerët nuk kanë gjasa ta bëjnë këtë. Ndërkaq, Albin Kurti po luan me një kartë të rrezikshme të fitores së shumicës absolute në zgjedhjet e ardhshme.

“Epoka e re”: Kritikat ndaj kësaj qeverie janë shtuar edhe nga partnerët e koalicionit, sidomos për qasjen e kryeministrit Hoti ndaj dialogut Kosovë – Serbi dhe menaxhimin e pandemisë. Si i keni parë këto kritika?
Maliqi: Më duken si pjesë e mjerimit të politikës tonë që e përshkrova më parë.  Qeveria edhe është krijuar gati me paterica, mezi mbahet në këmbë, e tash edhe përbrenda duan t’ia zënë hapin. Kritikuesit sikur ia kanë frikën dështimit të dialogut dhe luftës me pandeminë, kështu që duan ta sigurojnë një distancë të një fushate parazgjedhore. Askush nuk po më duket i sinqertë në deklarata dhe performanca. Për më shumë, edhe rreshtimet janë të çuditshme, me paranteza. Nëse e shkoni mirë, edhe koalicioni i brishtë qeveritar, edhe opozita po veprojnë si me mekanizma të kontrollit të marionetave. Vendimmarrësit dhe mujsharët e politikës së Kosovës janë tërhequr në prapavijë nga ku komandojnë proceset, kurse përpara i shtyjnë vartësit në kacafytje me problemet dhe dubiozat e proceseve. Kjo sidomos vlen për dialogun që ende nuk dihet a është ai i synuar, i përfundimit me njohje të ndërsjellë.

“Epoka e re”: Siç po shihet deri më tani, edhe kjo qeveri do të merret intensivisht me dialogun me Serbinë. Kryeministri ka thënë se ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. A ka kapacitete që kjo qeveri ta mbyllë këtë proces?
Maliqi: Ka dyshime në kapacitetet e qeverisë për ta arritur marrëveshjen finale, por edhe për rrethanat ndërkombëtare që ajo të arrihet. Shkuarja e Skender Hysenit në Uashington ndoshta do t’i sqarojë gjërat dhe ul nervozen, të sqarohemi se e jemi në pikën kritike të marrëveshjes finale, apo të jemi realistë rreth një procesi më afatgjatë. Draftimi i marrëveshjes është proces normal i fillimit të të gjitha marrëveshjeve të rëndësishme. Dhe, një të tillë ka mundur të ketë edhe në takimin e fundit në Bruksel, por ato janë matje e pulsit të të dyja palëve sa janë të gatshme për kompromise eventuale.

“Epoka e re”: Në këtë fazë nuk kemi parë ndonjë pjesëmarrje shumë aktive të ShBA-së në dialogun e Brukselit. Pritni ndonjë përfshirje më të madhe të ShBA-së në vazhdim të këtij procesi?
Maliqi: Mendoj se pas buldozer-demokracisë në tentim të Riçard Grenellit tani kemi hyrë në një fazë ku ShBA-ja do të jetë aktive, por si faktor i distancuar, jo direkt i negociatave. Në të vërtetë edhe Granelli pat thënë, pasi që dështoi samiti i Uashingtonit më 27 qershor, se ShBA-ja synon ta mbajë tryezën e negociatave ekonomike, kurse ato politike i takojnë BE-së, meqë Kosova dhe Serbia synojnë integrimin në BE. Kjo strategji nuk është e rastësishme, por e menduar ta eliminojë futjen e Rusisë në negociata. Nëse ShBA-ja do të ishte pjesë e tryezës me BE-në, Serbia do ta kërkonte praninë e Rusisë, siç ka qenë formula e tryezave të mëhershme. Besoj se ShBA-ja me Rusinë do të bisedojë në nivele të tjera, kurse me BE-në do të provohet arritja e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithnjë e mbikëqyrur nga ShBA-ja.

“Epoka e re”: Për çdo votim të rëndësishëm në Kuvend, koalicionit qeverisës po i duhen votat e opozitës. Sa mendoni se mund të zgjasë kjo qeveri, apo pritni një zgjerim të këtij koalicioni?
Maliqi: Mendoj se në ndonjë moment kritik, nëse qeverisë i duhen numrat kundër mocionit potencial të mosbesimit, PDK-ja mund ta mbajë qeverinë Hoti në pushtet nëse negociatat me Serbinë zhvillohen me kahe pozitive ose premtuese. Po kështu, PDK-ja si parti me rolin kingmaker do të kujdeset që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme kur kjo nuk i konvenon asaj dhe partive të tjera në qeveri, pos në rast se, në ndërkohë, nuk ndodh avancim në raportet mes PDK-së dhe LV-së, të paktën heqjes së vijës së kuqe të bashkëpunimit eventual. Por, nuk po shoh se ka shenja të tilla përderisa LV-ja ushqen bindjen e fitores së madhe ndaj “politikës së vjetër”, ku i fut të gjitha partitë, pos veten.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Premier League ka mbaruar dhe tashmë futbollistët që militojnë në…