Qeveria Hoti rikthen mundësinë e privatizimit të Telekomit të Kosovës

05 qershor 2020 | 16:17

Qeveria e re e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, ka kthyer çështjen e privatizimit të Telekomit.

Teksa në Qeverinë Kurti nuk ishte paraparë privatizimi i ndërmarrjeve publike në asnjë pikë në programin qeverisës të përbashkët me LDK-në, në pikën 5.7 të programit qeverisës të qeverisë së re është theksuar edhe privatizimi apo shitja e aksioneve të ndërmarrjeve publike.

“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet performanca në mënyrë që të rritet atraktiviteti për investitorë strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në pikën për Telekomin në programin e Qeverisë Hoti.

“Privatizimi/shitja e aksioneve në ndërmarrje publike do të ndodhë vetëm në momentet kur privatizimi/shitja e aksioneve si proces do të maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve tjera që ndërlidhen me procesin. Për të gjallëruar operimet në disa ndërmarrje publike, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, asetet apo pjesë të aseteve të disa ndërmarrjeve publike do të shiten apo do të privatizohen përmjet Ligjit për Investimeve Strategjike”, shkruhet në pikat tjera të kësaj pjese të programit. (A. M / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë(IKSHPK) ka shënuar 95-vjetorin…