Intervistë / Qeveria Kurti dështoi ta luftojë korrupsionin dhe të jetë pro amerikane

13 maj 21:55

Analisti politik Faton Abdullahu ka kritikuar punën 100-ditore të Qeverisë Kurti.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjatë kësaj kohe kryeministri në detyrë, Albin Kurtit, nuk i shkojë për dore ta luftojë korrupsionin dhe as të jetë pro-amerikan.

Abdullahu ka thënë se qeveria në detyrë ka dështuar në të dyja drejtimet.

“Kësaj qeverie nuk i shkojë për dore t’i dyzojë dy gjëra vitale, ta luftojë korrupsionin dhe në të njëjtën kohë të jetë pro-amerikane. Për rrjedhojë ka dështuar në të dyja”, ka deklaruar Abdullahu.

Ai ka vlerësuar se qeveria në largim përmes aktivistëve kinse të pavarur po kërcënon me protesta.

Sipas Abdullahut, këto protesta janë kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Duke e tensionuar gjendjen dhe duke krijuar përshtypjen se ajo mund të eskalojë në trazira nëse Gjykata nuk merr vendim për mbajtjen e zgjedhjeve. Shpresohet që kështu do të detyrohet që Gjykata në emër të një maturie për ta shtensionuar situatën do të vendos kundër një qeveri të re”, është shprehur ai.

Abdullahu në këtë intervistë ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

“Epoka e re”: Z. Abdullahu, Qeveria Kurti i ka bërë 100 ditë punë të qeverisjes. Si do ta vlerësonit këtë periudhë të qeverisjes?
Abdullahu: Për herë të parë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, dyshimi deri në bindje politike se në Uashington po gatuhet një ogur i zi kundër nesh, është zyrtarizuar dhe është bërë realitet qeverisës. Më këtë mendësi politike Qeveria Kurti e cila ka premtuar se do ta bëjë çkapjen e shtetit na ka ofruar vetëm çkapjen nga ShBA-të. Kjo mendësi politike e instaluar në rrugë si opozitarizëm aktiv, antiglobalist dhe majtist me elementë ekstrem, që u zyrtarizua së voni, krijojë një mentalitet jo vetëm në politikë, unik e të panjohur ndër ne, me të cilin mëtohet se mund të jesh modern, bashkëkohor, mendjehapur, bile edhe patriot, por në të njëjtën kohë edhe anti-amerikan. Çfarë dekadence. Në anën tjetër përmes aktivistëve kinse të pavarur Qeveria në largim po kërcënon me protesta. Kërcënimi është i drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Epoka e re”: Pse mendoni se po kërcënohet Kushtetuesja, në çfarë mënyrë?
Abdullahu: Duke e tensionuar gjendjen dhe duke krijuar përshtypjen se ajo mund të eskalojë në trazira nëse Gjykata nuk merr vendim për mbajtjen e zgjedhjeve. Shpresohet që kështu do të detyrohet që Gjykata në emër të një maturie për ta shtensionuar situatën do të vendosë kundër një qeverie të re. Edhe diçka, kësaj Qeverie nuk i shkojë për dore t’i dyzojë dy gjëra vitale, ta luftojë korrupsionin dhe në të njëjtën kohë të jetë pro-amerikane. Për rrjedhojë ka dështuar në të dyja.

“Epoka e re”: Pandemia ishte problemi kryesor me të cilin u përball kjo qeveri. A ka mundur të menaxhohet më mirë pandemia?
Abdullahu: Nuk ka mundur të menaxhohet më keq. Kam të drejtë të konstatojë kështu sepse kur na kaplojë frika, gati paniku nga pandemia dhe e panjohura se si do të përballemi me të, kur qytetarët prisnin që të ndihmohen nga institucionet, sidomos qeveria, Kurti pati kryeneçësinë politike dhe guximin pa filtrin prej burrështetasi, ta nxisë rrëzimin e Qeverisë të cilës i printe, me shkarkimin e njeriut të dytë në këtë koalicion z. Veliu. Kalkulimi mendor të qet në përfundimin logjik se një qeveri LV dhe LDK me mosmarrëveshje dhe e pakoordinuar, e përçarë deri në stërkeqje me akuza e linçime nuk mund të bëjë punë të mira e lëre më ta menaxhojë mirë një të keqe kaq të madhe sikundër ishte Covid-19.

“Epoka e re”: Çfarë bëri mirë dhe çfarë bëri keq kryeministri Kurti?
Abdullahu: E mira e Qeverisë Kurti është se po merr fund e keqja e saj më shpejtë se që është pritur. Qeveria Kurti nuk duhet të vazhdojë sepse është qeverisje pothuajse njëpartiake. Ajo është ndëshkuar me mocion prej ka shumicës (82 vota) së Kuvendin të Kosovës. Unë jam për një qeveri të re, sepse një qeveri e re nuk do t’i ketë dy mangësi të mëdha të cilat i ka Qeveria Kurti, pamundësinë, si determitë e përçarjes, për ta menaxhuar si duhet pandeminë dhe ftohjen e raporteve tona me ShBA-të apo thënë ndryshe zhvendosjen e Kosovës nga agjenda e Uashingtonit zyrtar. Nëse për asgjë tjetër jam për një qeveri të re, sepse kështu do ta instalonim praktikën juridike dhe politike se duhet ta respektojmë shumicën, në këtë rast 82 votat e Kuvendit dhe nuk duhet ta lëmë qytetarin në baltë sikur bëri Kurti në kohën e pandemisë. Në anën tjetër jam shumë skeptik edhe për një qeveri të re, mbase Qeveria Hoti, sepse në këtë rast një koalicion LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet do të jetë qeveri e pakicës e cila shumicën shqiptare PDK-LV do t’i lë jashtë. Për më keq do të ketë ndikim të fortë përmes Listës Serbe nga Beogradi gjë që e bënë sa të padenjë aq edhe jopolitikisht legjitime e unike për të na sjellë përfitime në dialog me Serbinë.

“Epoka e re”: Fokusin kryesor kjo qeveri e kishte te shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike. Sa besoni se janë përmbushur pritjet e qytetarëve me këto veprime?
Abdullahu: Ka kohë që bordet tek ne janë bërë si bordelet. Qeveria Kurti tek ato ndryshojë njerëzit por zanati mbeti ai i vjetri. Abuzimi duke zëvendësuar njerëz partiakë me militantë u bë praktikë sa zhgënjyese aq edhe neveritëse. E pandershme dhe zhgënjyese. Në një mënyrë ndoshta do të ishte mirë që Qeveria Kurti të zgjatë më shumë, sepse vetë Kurti do të maturohej për ta kuptuar se sa gabim ka qenë me qasjen e tij regresive se ‘në këtë vend nuk është bërë asgjë qe 20 vite’ por edhe qytetarët do ta kuptonin se Kurti nuk po di ti koordinojë ende dy segmente pragmatikisht – të jetë i drejtë por edhe i dobishëm.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë me…