Qeveria ndan 30 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje

22 shtator 2023 | 12:53

Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro, për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kjo është shuma më e lartë financiare që qeveria, në bashkëpunim më Bashkimin Evropian (BE), ka ndarë për subvencionimin e pajisjeve për sektorin e banimit.

Përmes kësaj skeme, ajo  ka thënë se synohet jo vetëm të ulet çmimi i faturave, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji elektrike.

“Sot po lansojmë thirrjen që subvencionon investimet në pajisje ngrohëse efiçiente; si pompë termike, kondicionerë ose klimë të tipit inventer me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë, si druri dhe veleti”, ka thënë Rizvanolli në një konferencë për medie.

Investimet në këtë masë janë kyçe për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit, ka thënë Rizvanolli, pasi sipas saj një pjesë e madhe e energjisë nga familjet konsumohet për ngrohje. Aplikimi ka nisur nga e premtja (22 shtator) në platformën online “E- Kosova” dhe do të zgjasë deri më 25 nëntor 2023.

Ata të cilët i plotësojnë kriteret do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5 500 eurosh. Ndërsa pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, sipas njoftimit, nuk do të subvencionohen. Një subvencionim për pajisje të tilla ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

Rizvanolli ka thënë se përfituesit e vitit të kaluar kanë kursyer deri në 40 për qind në faturat e energjisë elektrike. Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre. Kurse, më 17 shtator ka përfunduar aplikimi për fazën e parë të subvencionimit për sistemin diellor të ngrohjes të ujit sanitar. Po ashtu, qeveria është duke subvencionuar pajisje elektrike shtëpiake, si enëlarëse, rrobalarëse dhe frigoriferë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“El Jefe” kënga e re e Shakirës është publikuar dhe…