Qeveria në detyrë po vepron jashtëligjshëm me propozimin e buxhetit 2026

05 nëntor 2025 | 08:27

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka kritikuar Qeverinë në dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për mënyrën se si ka  proceduar me propozimin e Buxhetit për vitin 2026 duke thënë se ky është një veprim i jashtëligjshëm, raporton Ekonomia Online.

Shatri në një intervistë për Ekonomia Online shpjegon se çka mundet e çka “guxon” të marrë vendime Qeveria e cila veçse ka përfunduar mandatin, duke theksuar edhe se Kurti nuk do të duhej të krijonte mjegull para zgjedhjeve duke propozuar pagën e 13-të.

“E gjithë procedura është e kontestueshme, jashtëligjshme sepse qeveria në detyrë nuk ka të drejtë me procedu akte ligjore edhe akte tjera nënligjore. Siç e dini një udhëzim administrativ kushtetuesja ja ka anulu ministrit që është një akt më i ulët se buxheti. Këta e kanë propozu tu e thirr në nenin 31 të ligjit për qeverinë por ai nen flet për qeverinë në dorëheqje që sipas juristëve është tjetër kategori qeveria në dorëheqje dhe tjetër kategori qeveria në detyrë. Qeveria në detyrë ka për obligim vetëm me i përcjell vendimet që janë marr më herët dhe mbarvajtjen e punëve por këta e kanë uzurpu edhe ajo që është kontestu se kështu ashiqare do të thotë të njejtit persona që po kryejnë funksione ekzekutive në qeveri dalin tjetër anë e ndërrjnë karrigen dhe me votu të njëjtin dokument duke fillu prej kryeministrit e më pas te ministri i financave e gjithë të tjerët do të thotë është një diçka tepër e qartë që është jo kushtetuese, nuk kanë të drejtë dy funksione me kry”, tha Shatri.

Sipas tij, kryeministri Kurti po përpiqet të justifikojë një shkelje të qartë ligjore përmes thirrjeve patriotike.

“Këtu tek ne pushteti ekzekutiv dhe legjislativ është i ndarë dhe nuk është nevoja mu bashku, ftesa e Kurtit për me votu buxhetin tu e thirr një lloj patriotizmi, një lloj interesi i Kosovës ato ishin gjëra banale sepse për tetë muaj i ka zhagit procedurat e kuvendit dhe të qeverisë tu e thirr 50 seanca për një person, duke e shkel edhe atje kushtetutën e tash vjen e bën ftesë patriotike, votone Kuvendin, votone qeverinë dhe votone buxhetin se shteti është në rrezik janë pagat e sanksionet e tjera. E ka pru punën deri në momentin e fundit dhe tash bën ftesë patriotike që është asgjë dhe ka propozu një dokument kuvendit i cili dokument s’ka kujt t’i dorëzohet sepse nuk ka kuvend të konstitum, po them tërësisht duke marr parasysh që nuk janë konstitu trupat e tjerë të kuvendit”, theksoi ai.

Ish-ministri ka shtuar se situata aktuale në vend është qesharake.

“Edhe tash qeveria që ka ra në kuvend është kthyer në mandatin e vjetër dhe po propozon ligje. Shumë hajgare me këtë shtet, në këtë shekull me kaq njerëz të shkolluar që ka, me ligje në fuqi dhe të gjitha institucionet që rregullojnë raportet brenda shtetit me bë cerkuz nuk është e ndershme, nuk është dokument valid që ju ka dorëzu kuvendit”, shtoi ish-ministri.

Në lidhje me propozimet specifike të buxhetit, si rritja e pensioneve bazike dhe shtesat për fëmijë, Shatri tha se ato mund të kenë mbulim vetëm në kuadër të buxhetit aktual, por se mungon arsyetimi financiar.

“Propozimet tjera si për shtimin e pensionit bazik, të shtesave të fëmijëve e të tjera. Ato që kanë të bëjnë me këtë vit buxhetor mund ta kenë një mbulesë sepse bëhet fjalë për një buxhet që është në fuqi por vetëm disa rregullime brenda atij buxheti edhe pse shumat janë të mëdha dhe i tejkalojnë dispozitat për buxhetin ku mund të ridestinohen mjetet nga një destinim në një tjetër. Rregullimi është i lejuar në fund të vitit por me përqindje të caktuar në ligj e këtu kemi të bëjmë me 50 milionë të shtesave të fëmijëve, 50 milionë për pensione janë shuma të mëdha dhe nuk ka dalë asnjë arsyetim se kur propozohet një ndryshim ministri i financave është i obliguar me gjetë burimin, prej cilit pozicion në buxhet po i tërheq mjetet e prej cilit po i ridestonon”, ka thënë ai.

Sa i përket propozimit të qeverisë për pagën e 13-të, Shatri tha se kryeministri është dashur të jetë transparent dhe të mos krijojë mjegull para zgjedhjeve.

“Për pagën e 13-të kryeministri është dashur të tregoj se paga e 13-të është përcaktu në draftin e buxhetit për vitin 2026 në nenin 32 e buxheti për vitin 2026 nuk përcakton pagë të 13-të për fund të këtij viti por përcakton pagë për fund të vitit 2026, është dashtë me sqaru mos me lënë mjegull këtë para zgjedhjeve e me shpresu njerëzit”, shtoi Shatri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zohran Mamdani ka fituar garën për kryetar bashkie të qytetit…