‘Qeveria po i ik përgjegjësisë’, Asociacioni ‘në derë’ të Ambasadës së ShBA-së

29 janar 2023 | 12:49

Për asociacionin ambasadori amerikan në Prishtinë do të diskutojë të martën me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë. Derisa ende nuk është bërë e ditur se kush nga politikanët do të marrë pjesë në këtë diskutim, njohës të zhvillimeve politike kritikojnë qeverinë për ikje nga përgjegjësia për këtë çështje. Ndërsa nga partitë opozitare theksojnë se nuk duhet pranuar formimi i një asociacioni një etnik dhe i cili e bën jofunksional shtetin e Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj thotë se ftesa të tilla nga Ambasada Amerikane janë të mirëseardhura, por shton se qëndrimi i AAK-së është se nuk pranojnë asociacion një etnik apo me kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni është një temë e ndjeshme, ka ndjeshmërinë e vet dhe ne nuk guxojmë që as qeveria, as subjektet politike, që të sjellim një asociacion ku e bënë jofunksional shtetin e Kosovës dhe në këtë drejtim ne e kemi bërë të qartë se nuk bëjmë kompromis sa i përket formimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe një etnik. Prandaj si përfundim, mendoj që takime të tilla janë të mirëseardhura dhe mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetës i fortë i integritetit të Kosovës, i pavarësisë së Kosovës, i shtetit të Kosovës, i zhvillimit ekonomik dhe kjo qasje e tyre duhet përshëndetur”, thotë Lekaj.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, konsideron se qeveria po ik nga përgjegjësia që ka derisa shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht çështjen e asociacionit.

Arifi shtoi se Qeveria e Kosovës është dashur të përfundojë këtë çështje dhe të dorëzojë propozimin e saj për asociacionin.

“Qeveria është dashur të përfundojë këtë çështje, të përfundojë statutin dhe të dorëzojë draftin e statutit të partnerët strategjikë, apo projekt-propozimin, ky është propozimi ynë, pasi që qeveria është tallur me ShBA-në është tallur edhe me vetveten nuk e ka marrë këtë çështje seriozisht atëherë ShBA-ja e ka marrë këtë çështje përsipër…. Nga ky takim nuk është që pritet shumë, kjo vetëm si iniciativë me siguri se statuti është i gatshëm diku dhe ai do të prezantohet, do të diskohen pikat të cilat mund të jenë problematike apo çështjet që kërkojnë dialog më të thelluar, kështu që statuti do t’i dorëzohet mandej qeverisë si një draft propozim. Pra Qeveria e Kosovës nuk ka treguar aftësi menaxhimi nëse mund ta konkretizoj kështu”, shton ai.

Ftesë për këtë takim nuk ka marrë kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjë e cila për KosovaPress ishte konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.

Por këtë javë, para gazetarëve Kurti deklaroi se diskutime të tilla mund të mbahen me akterë të ndryshëm mirëpo Kushtetuta e Kosovës nuk e duron asociacionin një etnik.

Të gjitha partitë politike tashmë i kanë marrë ftesat për takimin e 31 janarit në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.

Ndërsa pjesëmarrjen publikisht deri tani e ka konfirmuar zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka udhëtuar drejt Shteteve të…