Qeveria sllovake konfirmon atentatin ndaj kryeministrit Fico
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme sllovake konfirmoi të mërkurën se ka ndodhur një atentat për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Zyra e Qeverisë sllovake tha se Fico është në rrezik për jetë si pasojë e plagëve, dhe se ai u dërgua me helikopter në spitalin e qytetit Banska Bistrica.
Fico, 59, u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas TA3.
Fico sapo kishte dalë nga një takim qeveritar kur një i dyshuar shtiu ndaj tij.
Ai ishte i vetëdijshëm kur u dërgua në një spitalin Handlova, ku iu mjekua plaga e shkaktuar nga plumbi, tha më herët një zëdhënës i spitalit në një përgjigje për Reuters përmes emailit.
Ai u transportua në një spital të nivelit më të lartë, pasi u mjekua fillimisht në spitalin e Handlovas, tha zëdhënësi.
Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin fillimisht gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.
Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.
Një video shfaq Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi.
Policia shihet gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.