Qeveria të angazhohet për njohjen edhe nga pesë vendet e BE-së

06 janar 2022 | 11:06

Njohësit e politikës së jashtme i kanë ftuar institucionet e Kosovës që gjatë vitit 2022 të angazhohen më shumë për sigurimin e njohjeve nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Republikën e Kosovës. Ata kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës duhet ta bëjnë primar lobimin në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Qipro dhe Greqi. Sipas tyre, duhet të krijohen grupe lobuese në kryeqendrat e këtyre vendeve.

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka vlerësuar se deri më tani kjo ministri ka qenë në gjumë dimëror. “Kjo qeveri një prej pikave strategjike duhet ta ketë lobimin për njohjen nga këto pesë vende, mirëpo ajo që po shoh nga Ministria e Jashtme e Kosovës është se e tëra është në defanzivë. Kjo ministri është në një gjumë dimëror. Gjatë këtyre tetë muajve nuk kam parë ndonjë aktivitet lobues te këto pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ajo.

Sipas Tahirit, gjatë këtij viti Kosova duhet të hidhet në ofensivë diplomatike për t’i bindur këto vende. “Qeveria duhet të angazhohet për këtë punë. Të krijojë grupe strategjike lobuese në kryeqendrat e Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros. Nuk ka dëgjuar ndonjë lajm se Ministria e Jashtme është duke bërë ndonjë ofensivë diplomatike për fitimin e këtyre njohjeve. Natyrisht se për këtë çështje duhet kërkuar edhe përkrahjen e ShBA-së dhe të partnerëve tjerë të rëndësishëm në mënyrë që të vijnë këto njohje”, është shprehur Tahiri.

Edhe politologu Avdi Smajljaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj pesë vendeve mosnjohje të BE-së. Sipas tij, MPJD-ja nuk ka strategji as për ta ndryshuar qasjen e vendeve skeptike të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën. “Në nivelin e integrimit evropian Kosova ka vazhduar intensitetin e njëjtë për zbatimin e MSA-së, ndërsa nuk ka pasur një strategji të qartë si të ndikojë te shtetet skeptike për çështjen e liberalizimit të vizave dhe as te shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Smajlaj.

Ai ka bërë me dije se qeveria duhet të hartojë një strategji për t’iu qasur shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Në nivelin global Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka treguar se ka kapacitete për ta avancuar interesin e Kosovës në nivel global. Nuk ka krijuar një strategji për t’iu qasur shteteve që janë kundër pavarësisë së Kosovës, shteteve skeptike, shteteve që e kanë njohur Kosovën, por nuk na mbështetin në politikën e jashtme dhe shteteve mbështetëse për t’i thelluar marrëdhëniet. Gjithashtu, jo vetëm që kanë munguar njohje, por nuk ka as edhe një strategji për këtë. E njëjta vlen edhe për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai.

Gjatë vitit 2021 opozita dhe shoqëria civile e kanë kritikuar politikën e jashtme të Kosovës, meqenëse gjatë këtij viti Kosova nuk ka marrë asnjë njohje dhe nuk është anëtarësuar në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka mohuar kritikat në këtë fushë. Në adresimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani ka thënë se si udhëheqëse e politikës së jashtme është angazhuar për konsolidimin e shtetësisë dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. “Ne jemi të lumtur që mund të themi që Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pranë nesh. Prandaj, në vizitat e mia të realizuara këtë vit, përveç se kam shprehur mirënjohjen e palëkundur të qytetarëve tanë për aleancat që i kemi dhe për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e shkëmbimit bilateral me vendet të cilat i kam vizituar, qoftë sa iu përket raporteve politike e diplomatike e deri tek ato të tregtisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit, turizmit, agjendës së gjelbër, teknologjisë informative e inovacionit, por edhe shumë fusha të tjera në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.

Nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia ka pozicionin më liberal ndaj pavarësisë. Madje është aluduar se me ndërtimin e projektit për gazsjellësin të mbështetur nga MCC-ja, të cilin qeveria e ka refuzuar, mund të vinte edhe njohja nga Greqia.

Gjithashtu, ky vend është shprehur pro liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa më e rrepta kundër pavarësisë së Kosovës është shprehur Spanja, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike pavarësinë e Kosovës.

Sipas shumë ekspertëve, njohja nga këto pesë vende varet nga dialogu për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel i cili ka filluar në vitin 2011.

Deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe njohja e fundit erdhi nga Izraeli në shkurt të vitit 2021. Kjo njohje ka ardhur si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Prishtinës dhe Beogradit që u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në pani të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fjolla Morina është njëra ndër këngëtaret më provokuese shqiptare. Ajo…