Qeveria themeloi strukturat për planifikim strategjik

09 korrik 2020 | 12:25

E drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e dymbëdhjetë të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të fushave të saj të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dhënien e mendimit lidhur me nismën legjislative të grupit të deputetëve për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Të gjitha ministritë kompetente e kanë përcjellë opinionin dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre, në rrjedhë të kësaj Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të inicuar nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për rregullim të ri ligjor me të cilën bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E vlerëson të panevojshme miratimin e projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë në mënyrë të mjaftueshme fushën e luftimit dhe të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë. Konsideron se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka dispozita të veçanta që adresojnë çështje që institucionet e Kosovës kanë për obligim t’i ndërmarrin në raste të caktuara të rrezikut të shëndetit publik. 

Qeveria ka shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Kuvendit të Republikës së Kosovës për dhënie të mendimit lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e Pandemisë Covid-19. Sipas procedurave përkatëse të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellë opinionet dhe deklaratat e tyre sipas fushëveprimit përkatës të tyre. Në rrjedhë të kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se tashmë ka ndërmarrë veprimet konkrete për adresimin e çështjeve të ngritura në nismën legjislative.

Tashmë ka proceduar në Kuvend Projektligjin për rishikimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, ku ka planifikuar mobilizimin e një buxheti në vlerë prej 385 milionë euro për zbatimin e planit për rimëkëmbje ekonomike. Gjithashtu, Ministria e Financave në procedura urgjente  është duke e draftuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë Covid-19 i cili projektligj është paraparë edhe në programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2020. Qeveria vlerëson se çështjet, të cilat synon t’i adresojë nisma e tillë legjislative do të përfshihen në kuadër të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë Covid-19, i cili shumë shpejt do të finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në Qeveri do t’i procedohet Kuvendit për aprovim.

Në funksion të avancimit dhe rregullimit të planifikimit strategjik, Qeveria e Kosovës ka themeluar Strukturat për Planifikim Strategjik, respektivisht Komisionin për Planifikim Strategjik, dhe Grupin Drejtues për Planifikim Strategjik. Komisioni për Planifikim Strategjik është mekanizëm që do të drejtojë procesin e Kornizës Kombëtare të Planifikimit dhe Menaxhimit Strategjik në Kosovë. Anëtarët e përhershëm të KPS-së janë:

1. Kryeministri, kryesues;

2. Zëvendëskryeministri, zëvendëskryesues;

3. Ministri i Financave;                                                   

4. Kryesuesi i GDPS-së.

Ndërsa, Grupi Drejtues për Planifikim Strategjik është mekanizëm koordinues ndërinstitucional që mbështet Komisionin, dhe është përgjegjës për koordinimin e zhvillimit të dokumenteve kryesore strategjike, sigurimin e harmonizimit të dokumenteve strategjike dhe ndërlidhjes me burimet buxhetore, koordinimin e zbatimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar në Kosovë, si dhe sigurimin e koordinimit dhe harmonizimit të proceseve kryesore planifikuese të Qeverisë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se vendi…